DURRËS, 3 shkurt 2015 – Rreshjet e shumta kanë zgjuar “përbindëshin” e Manskurisë, që rrezikon të përmbytë Shkëmbin e Kavajës, Plepat dhe Plazhin e Durrësit, linjën hekurudhore Durrës-Kavajë. Gjithashtu rrezikohet dhe furnizimi me ujë të pijshëm i Kavajës dhe disa komunave.
Mësohet se, të martën, më 3 shkurt 2015, drejtoria ekzekutive e ndërmarrjes publike të Ujësjellës-Kanalizimeve të Kavajës ka nisur shkarkimin e kontrolluar të rezervuarit të Manskurisë, i cili shërben për furnizimin me ujë të Kavajës, Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës. Për shkak se niveli i ujit në këtë ujëmbledhës është rritur ndjeshëm, shkarkimi i ujit ka nisur që në mëngjes me qëllim që niveli i ujit të bjerë me 2-3 metra. Nga shkarkimi i ujit nuk ka pasur problem përmbytjeje, ndërkohë që specialistë të ndërmarrjes së ujësjellësit dhe anëtarë të shtabit të emergjencës po monitorojnë situatën.
Sipas specialistëve, nuk ka rrezik për çarjen e digës së këtij rezervuari. Nga ana tjetër, krijimi i një grope afër këtij rezervuari, shton frikën se ajo mund të ndikojë në lëvizje të mundshme të digës. Gropa me diametër dy metër dhe thellësi të papërcaktuar është krijuar kohët e fundit nga erozioni që ka ndodhur përreth këtij rezervuari. Inxhinierët hidroteknikë dhe të mjedisit po bëjnë llogaritje për rrezikun dhe sasinë e ujit që duhet të shkarkohet nga rezervuari. Për të parë gjendjen e digës, paraditen e 3 shkurtit 2015, ka qenë edhe prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi. Mes përmes këtij rezervuari kalon kufiri i Tiranës dhe Durrësit.
Sfondi
6 ditë më parë, më 29 janar 2015, Prefekti Vorpsi ka organizuar një mbledhje përfaqësues të pushtetit vendor dhe Bordit të Kullimit. Sipas Vorpsit:
“Në Kavajë janë 25 rezervuare. Të gjithë rezervuarët kanë vite që janë ndërtuar dhe kjo ka si pasojë amortizimin. Vihet re se rezervuarët kanë dëmtime në skarpatet e jashtme dhe të brendshme, si rrëshqitje, cedime, filtrime ose në to është ndërhyrë me mbjellje nga banorët. Një pjesë e digave shërbejnë edhe si rrugë automobilistike për të lidhur zonat përreth. Problem shumë i madh është amortizimi i ujëlëshuesve, kryesisht bllokim i saraçineskave ose bllokim i pusetës hyrëse, si dhe amortizimi i tubacionit të ujëlëshuesit. Shumë nga këto problem shkaktohen nga ndërhyrjet e paligjshme dhe interesat personalë të banorëve përreth. Me problem paraqiten edhe shkarkuesit katastrofikë, të cilët janë dëmtuar nga ndërtimet apo shkaqe të tjera natyrore. Rezervuarët janë të mbushur me mbetje të ngurta në kupën e tyre, pasi kanë vite që nuk janë pastruar dhe për pasojë volumi mbajtjes së tyre është zvogëluar. Kanalet kulluese kanë humbur funksionin pasi kalojnë në zona urbane, ndërhyrjet për pastrimin e tyre janë vështirësuar pasi janë bërë ndërtime shumë afër bankinës së tyre, paraqesin problem me kabllot elektrike”.
Prefekti Vorpsi ka nnritur në grup pune që do të merret me gjendjen e digave dhe dambave në Qarkun e Tiranës, si edhe rreziqet e mundshme pranë digave dhe dambave për zonat e banuara, sidomos atyre me infrastrukturë të veçantë; verifikimi i brezave të sigurisë të digave dhe dambave; planin e alarmit për lajmërimin e popullatës në rastet emergjente; evidentimin e rreziqeve dhe masave parandaluese; ngritjen dhe funksionimin e një grupi ekspertësh në njësitë menaxhuese të digave dhe kanaleve kulluese.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





