1 shkurt 2015 –  Ndalet në arenën e Turin në Poloni rruga e boksierit shqiptar Nuri Seferi drejt titullit botëror në versionin WBO. 38-vjeçari i lindur në Gostivar e humbi me vendim të jurisë pas 12 raundeve duelin përballë polakut Krzysztof Glowacki që fiton biletën e finales për t'u ndeshur më pas me mbajtësin e brezit botëror, gjermanin Marco Huck me Glowackin që mori njëkohësisht edhe brezin e kampionit të Europës që mbahej nga Seferi. Me futjen e Nuri Seferit, salla u ndez në arenën polake ku shqiptarët ishin më të paktë në numër, por me sytë aty ishin edhe gjithë shqiptarët anembanë botës falë Digitalb që vendosi ta transmetonte këtë event falas, pa pagesë.

Ishte një hyrje në motivet e krenarisë kombëtare, ashtu si dhe himni shqiptar, duke rritur emocionet në kulm para duelit. Raundi i parë ishte akademik me të dy boksierët që studiuan njëri tjetrin dhe me kalimin e minutave strategjia u bë e qartë, përballë shtatlartit polak Seferi e kishte të vështirë të afrohej dhe mund të përfitonte vetëm duke e mbështetur në cep siç tentoi në fundin e raundit të dytë. Raundi i tretë u më agresiv sa lufta vijoi edhe pas rënies së gongut dhe në raundet në vijim polaku filloi të jepte gjithnjë e më tepër goditje falë parametrave fizikë dhe u bë e qartë se bosksierit nga Gostivari i duhej të sulmonte për ta mbyllur ndeshjen me knock out pasi pikët shkonin në favor të kundërshtarit.

Gjithsesi diçka e tillë nuk ndodhi dhe raundet vijuan të ecnin në favor të Glowackit që ruante freskinë, ndërsa Nuri Seferi bëri një tentativë të fundit për ta mbyllur ndeshjen me një goditje të vetme në fund të raundit të 12 me një grusht të fortë për knock down. Polaku u lëkund por nuk ra për t'u kthyer me një breshëri goditjesh deri në fund për ta fituar ndeshjen me vendim unanim të jurisë 118-110, 118-110 dhe 120-108 në favor të Glowackit. Kjo ishte disfata e parë e Nuri Seferit që nga viti 2008 kur ishte mundur nga britaniku Herbie Hide. 38 vjeçari ka një rekord prej 36 fitoresh, 20 me knock out dhe 7 humbjesh.