• Roberto Speciale, 71 vjeç, me gradën gjeneral korparmate (gjeneral Kolonel), ish zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë italiane, ish deputet në një legjislaturë i parlamentit italian, ish komandant i përgjithshëm i Rojes së Financës u grabit me dhunë së bashku me të shoqen, në vilën e vet në Ostia (Romë).

 1 shkurt 2015 –  Tre banditë të armatosur me pistoleta Tokarev, Makarov dhe me maska e kapën gjeneralin dhe të shoqe, ndërsa po hapnin derën e vilës së vet në  jug të Romës. Pasi i lidhën, i torturuan për 2 orë e 20 minuta.

U kërkonin se ku i kishin fshehur paratë, sendet me vlerë dhe kodin e kasafortës.

Gjenerali, me një karrierë 50 vjeçare ushtarake dhe politike, me përvojë nga fushat e betejës të Libanit, Kosovës dhe Afganistanit u detyrua t’u tregonte banditëve kodin e kasafortës. Ata i grabitën 5 000 euro në kasafortë, arturinat e gruas, enë kuzhine (lugë, thika, pirunj) prej argjendi, medaljet e marra në 50 vjet karrierë, madje edhe veturën Toyota Rav 4. Madje banditët diskutuan me njeri tjetrin, nëse ia vlente t’i vidhnin edhe qenin pekinez..

Banditët e thërrisnin në emër gjeneral Roberton, pra e dinin mirë se me kë kishin të bënin. Fatkeqësisht, tre banditët e moshave 20-30 vjeç nuk e dinin që gjeneral Speciale për shkak të shërbimit në Kosovë, kuptonte pak shqip. Gjenerali arriti të kuptonte disa fraza në shqip, kur banditët komunikonin me njëri – tjetrin. Identifikimi i banditëve si shqiptarë pa dyshim, që do të ndihmojë shumë në zbardhjen e grabitjes dhe arrestimin eventual të tyre.

Organet ligjzbatuese italiane kanë filluar një gjueti të vërtetë për tre banditët shqiptarë, që i tradhëtoi gjuha. Veçanërisht për finacierët italianë është çështje nderi të arrestojnë tre banditët, që grabitën dhe torturuan ish komandantin e përgjithshëm të Rojes së Financës.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/