31 janar 2015 – Luis Enrike u përfol për një shkarkim të mundshëm nga Barcelona dhe një prej kushteve ishte që të kualifikohej ndaj Atletikos së Madridit, në Kupën e Mbretit.
Në fakt, influencues për të larguar kreun e pankinës dyshohet se ka qenë Lionel Mesi, pas një debati të ashpër mes tyre. Edhe pse përplasja mes tyre nuk u konfirmua nga asnjë prej zyrtarëve katalanas, ka menduar mbrojtësi Zheremi Matjë për të sqaruar gjithçka. Ai nuk është rezervuar në deklaratën e tij për median, kur ka sqaruar me imtësi debatin mes teknikut dhe yllit argjentinas, nga fillimi dhe deri te zgjidhja.
“Në çdo klub ka momente tensioni dhe përplasje. Nuk më bëjnë përshtypje. E rëndësishme është që të zgjidhen dhe të mos ndikojnë në ecurinë e ekipit. Tension dhe përplasje ka pasur edhe mes Lionelit dhe trajnerit tonë. Në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë të vogla dhe që nuk janë vënë re shumë. Por, debati më i ashpër i tyre ka ndodhur në fillim të muajit, gjatë një seance stërvitore. Ne ishim duke zhvilluar një mini ndeshje brenda grupit dhe Luis Enrike po bënte rolin e arbitrit. Mesi pësoi disa goditje të forta në këmbë, por trajneri nuk vërshëlleu për faull. Leos nuk i mbajtën më nervat dhe nisi të bërtasë dhe të thotë gjithçka që mendonte në ato momente. Edhe Luis ia ktheu në të njëjtën mënyrë”, tregon Matjë. Gjithsesi, ai këmbëngul se tashmë është sqaruar gjithçka.
“Në përfundim të stërvitjes, trajneri dhe Mesi folën gjatë me njëri-tjetrin në dhomat e zhveshjes. Më pas, të dy thanë se sqaruan gjithçka dhe kemi vënë re se nuk ka asnjë problem mes tyre. Kjo është pjesa më e rëndë- sishme”, përfundoi deklaratën e tij mbrojtësi i Barcelonës. Sa i përket situatës së tij, ai njoftoi se po arrin të riaftësohet nga dëmtimi dhe shumë shpejt do jetë në dispozicion për të luajtur që nga minuta e parë





