DURRËS, 30 janar 2015 –  Të premten, më 30 janar 2015, u zhvillua mbledhja e nivelit të dytë të qeverisjes vendore. Me një kuorum të reduktuar në kufij të skajshëm (mungonte edhe kryetari i bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako) u zhvillua mbledhja e këshillit të qarkut kryesor të vendit. Në fjalën e tij, kryetari Alfred Mullaraj tha se ishte një mbledhje e jashtëzakonshme. Mullaraj kishte një ton të zymtë:

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Jemi pa asnjë kompetencë. Nuk e di a do të bëhen ndryshime në Kushtetutë për sa i përket Këshillit të Qarkut. Jam në një pozicion që nuk do t’ia uroja askujt. Shpresoj që parlamenti të bëjë ndonjë gjë. Na duhet të shkurtojmë administratën, pasi kemi buxhet modest, të diktuar nga kufiri i vendosur nga Ministria e Financave.

Viti 2014 ishte vit jo i lehtë, i mbushur me problematika të tipit financiar që trashëguam nga aktiviteti në një vit dhe që bashkërisht u munduam të zgjidhim dhe shumë prej tyre morën zgjidhjen e munguar”.

Sipas relacionit për projektvendimin për miratimin e strukturës organizative të administratës së këshillit të qarkut, në zbatim të ligjit “Për Buxhetin e vitit 2015”, ka kufizime mbi fondin e pagave të administratave të Këshillave të Qarqeve, duke e detyruar edhe atë të Durrësit të operojë me një struktuyrë  më të shkurtuar dhe efikase. Si rezultat, numri gjithsej i punonjësve nga 58 bëhet 35. Kështu, shkurtohen 23 veta.

Ky fakt ngjalli disa diskutime, sidomos nga ana e PD-së, që kërkoi të mos hidhen në rrugë nëpunësit e “krasitur”.

U miratuan buxheti i Këshillit të Qarkut për vitin 2015; linja e transportit të udhëtarëve të bashkisë së Manzës; transferimi kapital i një fuoristrade për ndërmarrjen e rrugëve rurale rajonale; ndryshimet ne strukturën e ndërmarrjes së rrugëve rurale rajonale; linjave të transportit të nxënësve dhe mësuesve për rrethet e Durrësit e Krujës; linjave të transportit ndërqytetës dhe rrethqytetës Thumanë – Fushë-Krujë – Tiranë; Durrës – Hamallaj – Durrës; Durrës – Sukth – Durrës – Thumanë – Fushë-Krujë – Tiranë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/