30 janar 2015 – Dopingu ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në peshëngritjen shqiptare dhe ky fenomen ishte në fokusin edhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke përbërë një nga temat e diskutimit gjatë një seminari per nje platforme të re të Edukimit fizik dhe Sportiv. Në të merrte pjesë edhe profesori italian, Alesandro Donati, këshilltar i Agjensisë Botërore të anti-dopingut i cili evidentoi nevojën e domosdoshme për nisjen e një hetimi të detajuar në lidhje me rezultimin pozitiv ndaj substancës së ndaluar stanozolol të peshëngritësve shqiptarë të elitës gjatë botërorit të vitit të kaluar në Kazakistan.
"Skandali në peshëngritje ka prekur shumë vende të botës, jo vetëm Shqipërinë. Fakti që disa sportistë rezultuan pozitivë me doping është dicka e rëndë. Në raste të tilla është e rëndësishme që të kuptohet se sportisti nuk vepron asnjë herë i vetëm. Rreth tij ka persona të tjerë të përgjegjshëm. Është e qartë që një cështje e tillë duhet të hetohet në thellësi për të kuptuar se cilat janë përgjegjësitë e sportistit".
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ende nuk kanë dhënë asnjë sinjal për një nisje të hetimit apo së paku të një analize me nxjerrjen e përgjegjësive pas skandalit që përfshiu spiortin më elitar në vend pas rezultimit pozitiv të sportistëve Daniel Godelli, Romela Begaj e Hysen Pulaku. Për Begajn dhe Pulakun është konfirmuar prania e substancës së ndaluar edhe në testet B, ndërkohë që janë kthyer në një enigmë të vërtetë kundëranalizat e Daniel Godellit, për të cilat ende nuk ka një rezultat edhe pse ky duhet të kishte dalë prej disa javësh.





