DURRËS, 30 janar 2015 – Të enjten, më 29 janar 2015, në komandën e Forcës Detare në Plepa të Durrësit, u zhvillua konferenca e parë planëzuese e stërvitjes rajonale “Adrion – Livex – 2015”. Morën pjesë kuadro drejtues dhe organizues të kësaj stërvitjeje nga vendet pjesëmarrëse të iniciativës “Adrion”, konkretisht nga Shqipëria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Sllovenia, njoftuan Plepat.
Në konferencën e parë u prezantua dhe diskutua qëllimi, objektivat, pjesëmarrësit, mjetet, situatat detare, rajoni, formacioni i anijeve, radio-komunikimi, etj. E veçantë është që për herë të parë po bëhen përpjekje maksimale për të përmbushur STANAG-un e NATO-s. (STANAG- është shkurtimi në anglisht për “Standardization Agreement” – Marrëveshja e Standardizimit), që përcakton proceset, procedurat, terminologjinë dhe kushtet për unifikimin në kuadër të forcave të armatosura të përbashkëta ose procedurat teknike apo pajisjet midis vendeve anëtare të aleancës. Çdo shtet i NATO-s ratifikon një STANAG dhe e zbaton në forcat e veta të armatosura. Qëllimi është sigurimi i masave të njësuara operative dhe administrative procedurat dhe logjistikë të përbashkëta operacionale dhe administrative,bazës materiale-teknike, në mënyrë që forcat e armatosura të një vendi anëtar të mund të përdorin depot dhe mbështetjen e forcave të armatosura të një tjetri evend anëtar. STANAG gjithashtu përbëjnë bazën për ndërveprimin teknik mes një larmie të gjerë të sistemeve të ndërlidhjes dhe informimit CIS (communication and information systems) aq të rëndësishme për operacionet e NATO-s dhe aleate.
Në ndihmë të këtij objektivi madhor është dhe qendra e simulimeve shqiptaro-amerikane në komandën e doktrinës dhe stërvitjes. Kështu specialistët e kësaj qendre, Tony Darlington dhe major Lulëzim Salihi, u shpjeguan pjesëmarrësve radhën dhe modalitetet që përdorin sektorët përkatës në strukturat e NATO-s për këto lloj stërvitjesh. Gjithashtu në mars 2015 në këtë qendër do simulohen të gjithë skenarët e mundshëm të kësaj stërvitje të madhe detare, e cila do finalizohet në qershor të këtij viti.
Gjatë konferencës specialistët e degës së planifikimit dhe operacioneve në Komandën e Forcës Detare, si dhe përfaqësuesit e flotave pjesëmarrëse, LT. Nikola Basic (Kroaci), LT. Paulo Calvaruso (Itali), kapiten i rangut të II Iosif Papadakis (Greqi) dhe LT. Ivan Lakovic (Mali i Zi), prezantuan dhe diskutuan variantet dhe detajet e mundshme të stërvitjes detare rajonale “Adrion – Livex – 2015”.
Konferenca u drejtua nga kapiten i rangut I Adnand Agastra, shef Shtabi i FD, i cili vlerësoi punën cilësore që është bërë në përgatitjen e kësaj konference përgatitore dhe në emër të komandantit të Forcës Detare falënderoi pjesëmarrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





