DURRËS, 30 janar 2015 – Këshilli i Ministrave miratoi, më 28 janar 2015, lidhjen e kontratës së qirasë, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Primavera Industry”, shpk, si qiramarrës, për pasurinë “Sallë prodhimi në katin përdhes në “Prodhim veshje”, sha, Durrës”, me sipërfaqe të përgjithshme 892 metra katror.
Sikurse ka njoftuar portali “durreslajm.com”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, më 26 nëntor 2014, zhvilloi konkurrimin për dhënien me qira të sallave të prodhimit në katin përdhes me një afat 20 vjet.
Është interesante se vlera dysheme për detyrimin e qirasë është 178 400 lekë (rreth 1 300 euro) në muaj, ose 200 lekë (1,4 euro) metri katror në muaj. Dhënia me qira bëhet për zhvillimin e aktivitetit të përpunimit aktiv të mallrave (fason), për rrobaqepësi.
“Dyrrah”-u (durreslajm.com) ka mësuar në QKR se “Primavera Industry” shpk është një firmë me seli në Tepelenë, e krijuar në maj të vitit 2014, administratori i së cilës është shtetasi grek Panagiotis Kosmetatos. Ka si veprimtari biznesi rrobaqepësi, prodhim veshjesh të ndryshme, tregti me shumicë dhe pakicë të tyre; import-eksport mallrash, pajisjesh ose pjesësh për prodhim veshjesh të çdo lloji. Gjithashtu merret me prodhim dhe përpunim veshjesh, këpucësh dhe mallrash sintetike, lëkure, poliesteri, si dhe aksesoreve për industrinë e modës; blerje-shitje dhe marrje me qira e makinash, pajisjesh apo mjetesh transporti që lidhen me aktivitetin e mësipërm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





