DURRËS, 30 janar 2015 –  Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës thotë se  ka inspektuar Muzeun Etnografik të Krujës. Ky i fundit është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanasve, ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Është ndërtuar nga Toptanasit që në atë kohë ishin sundimtarë të Krujës dhe është e stilit persian, pasi Kapllan Pashë Toptani, sapo ishte kthyer nga fushata e Teheranit, ku turqit dolën ngadhënjyes. Pra, inxhinierët ishin persë, ndërsa ustallarët që e ndërtuan dibranë. Madje, dhe piktori që e ka hijeshuar ka qenë Bajram Muça, nga Ostreni i madh (është i njëjti stil me Xhaminë e Et`hem beut në Tiranë, d.m.th., stil rokoko).

Më pas, nga fillimi i viteve `800, kur Topatanasit u shpërngulen në Tiranë dhe u bënë sundimtarë të Shqipërisë së Mesme, shtëpia kaloi në pronësi të një familjeje të dëgjuar nga Kruja me mbiemër Kalaja (Zejnel Efendi Kalaja), pronësi, e cila u ruajt deri në vitet e fundit, kur shteti shqiptar bëri shpronësimin e saj.

Muzeu, i cili në origjinë ka qenë haremllëku (banesa private) e Kapllan pashës, është shpallur si i tillë për herë të parë në vitin 1959 dhe është restauruar me themel nga prof. Emin Riza. Objektet e ekspozuara aty, kanë vlerë pakrahasimisht të vogël historike dhe etnografike në krahasim me vetë Muzeun, i cili është unik në trevat Ballkanike.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/