DURRËS, 30 janar 2015 –  Shpërthen hapur LSI-a kundër PS-së (konkretisht, kundër bashkisë së Durrësit), teksa po përdor dhe një organ qeveritar informativ, sikurse është Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), që ka drejtor Gëzim Podgoricën e Meta-Kokës. Me sa duket, deklarimi i deputetit të PR-së, që në rast se caktohet kandidati së djathtës në Durrës, do të mbështetet nga rrethi familjar i kunatit të tij, Lefter Koka, nr. 2 i LSI-së qendrore, po vërtetohet në praktikë, duke abuzuar dhe me një ent publik në varësi të Kryeministrit Edi Rama.  

Më 30 janar 2015 ATSH-ja ka lëshuar lajmin “Erozioni dhe ndërtimet shkatërrojnë Currilat në Durrës”, që është një “copy-paste” i kronikës së edituar më 28 janar 2015 nga “Ora News”, eminent televiziv në pronësi të kryetarit të shoqatës së konsujve të nderit në Shqipëri Yll Ndroqi. Titulli i telekronikës është “Currilat në Durrës, ndërhyrjet pa kriter kanë dëmtuar zonën” me autor Llambi Kallço. Këtij teksti të kopjuar nga Nikollaq Lena, i janë shtuar vetëm dy paragrafë në ATSH: 

“Ndërsa kodra [e Currilave – “Dyrrah”] ku qëndron edhe fari ka pësuar një ndryshim dramatik vitet e fundit. Për shkak të prerjes së pemëve, dheu rrëshqet masivisht sa herë bie shi. Madje, disa ndërtime rrëzë saj sot janë të varrosura nën llucë.

Bashkia e Durrësit edhe pse është vënë në dijeni shpesh herë për situatën alarmante, nuk ka marrë asnjë masë”.

Fraza e fundit, që sulmon kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, u shtua nga lajmshkruesi në Tiranë, nën diktatin e LSI-së, sepse fill pas saj vjen i kopjuar paragrafi i Kallços: 

“I vetmi lajm i mirë për zonën e Currilave është projekti i Ministrisë së Mjedisit [Ministër Lefter Koka i LSI-së – “Dyrrah”-u] për gjelbërimin dhe kthimin në një park natyror të kodrave në faqen perëndimore të bregdetit. Ripyllëzimi po ndihmon edhe në krijimin e një qëndrueshmërie të kodrës që në vitet e fundit nga rrëshqitjet masive të dheut, ishte kthyer ne nje zonë të rrezikshme”.

“Dyrrah”-u (portali “durreslajm.com) ka mësuar se ditët e fundit kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka ardhur tri herë në Durrës dhe ka takuar Dakon. Me ç’duken “bathët”, z, Meta nuk e kontrollon dot Kokën, jo vetëm në Durrës, por as në Tiranë (ATSH dhe televizion publik). 

Zëra në degën vendore të PS-së në Durrës shprehin shqetësimin se, nëse Duka do të marrë bekimin e PD-së së Durrësit, republikani ka një arsenal të tërë mediatik në dispozicion: ATSH, RTSH (drejtor Martin Leka, LSI), Ora News, News 24, ndoshta Top-Channel (nëse vëllai i Agron Dukës, Armandi, aksionar në “Supersport”, do të kandisë edhe pronaren e “allnuar” me Ramën të televizionit kombëtar të Tanit të ndjerë), si dhe gazeta si “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, ndoshta “Shqip” etj.

BALLAFAQIM TEKSTESH

ORA NEWS, 28 janar 2015: “Currilat në Durrës, ndërhyrjet pa kriter kanë dëmtuar zonën” 

Një nga zonat me interesante turistike të bregdetit te Durresit, siç është ajo e Currilave po shkon gjithnjë dhe më tepër drejt shkatërrimit.

E gjithë vija natyrale bregdetare është pushtuar nga ndërtimet me leje apo pa leje.

Për qytetarët durrsakë, më dëmtimin e zonave turistike, qyteti bregdetar po humbet dhe identitetin.

I vetmi lajm i mirë për zonën e Currilave është projekti i Ministrisë së Mjedisit për gjelbërimin dhe kthimin në një park natyror të kodrave në faqen perëndimore të bregdetit.

Ripyllëzimi po ndihmon dhe në krijimin e një qëndrueshmërie të kodrës që në  vitet e fundit nga rrëshqitjet masive të dheut, ishin kthyer në një zonë të rrezikshme (linqe: http://www.oranews.tv/vendi/currilat-ne-durres-nderhyrjet-pa-kriter-kane-demtuar-zonen/ dhe https://www.youtube.com/watch?v=YEWzItiT75E).

ATSH: Erozioni dhe ndërtimet shkatërrojnë Currilat në Durrës

Postuar më 09:31 – 30 Janar 2015 nga Nikolla Lena në Ceshtjet e Mjedisit, Lajme Nga Vendi

TIRANË, 30 Janar / ATSH / – Zona e Currilave, një nga zonat turistike të bregdetit të Durrësit, po shkon gjithnjë dhe më tepër drejt shkatërrimit. E gjithë vija natyrale bregdetare është pushtuar nga ndërtimet me leje apo pa leje. Ndërsa kodra ku qëndron edhe fari ka pësuar një ndryshim dramatik vitet e fundit. Për shkak të prerjes së pemëve, dheu rrëshqet masivisht sa herë bie shi. Madje, disa ndërtime rrëzë saj sot janë të varrosura nën llucë.

Bashkia e Durrësit edhe pse është vënë në dijeni shpesh herë për situatën alarmante, nuk ka marrë asnjë masë. I vetmi lajm i mire për zonën e Currilave është projekti i Ministrisë së Mjedisit për gjelbërimin dhe kthimin në një park natyror të kodrave në faqen perëndimore të bregdetit. Ripyllëzimi po ndihmon edhe në krijimin e një qëndrueshmërie të kodrës që në vitet e fundit nga rrëshqitjet masive të dheut, ishte kthyer në një zonë të rrezikshme (shih: http://www.ata.gov.al/erozioni-dhe-ndertimet-shkaterrojne-currilat-ne-durres-216916.html). 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/