28 janar 2015 – Shënohet përplasja e parë mes dy bashkëkryetarëve të Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Pas pranimit pa kushte të hartës territoriale dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e 23 Qershorit, Bashkia e Tiranës është kthyer në një makth për SHQUP. Prej disa ditësh, dy bashkëkryetarët e PD, kanë nisur të kërkojnë kandidatë të mundshëm, për Bashkinë e Tiranës në 21 Qershor.
Ndonëse janë në një mendje sa i takon shpresave të pakta për një fitore të mundshme, sipas burimeve, Berisha dhe Basha kanë shprehur preferenca të ndryshme për kandidatin e mundshëm.
Sipas burimeve, Lulzim Basha dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike, mbështesin Dashamir Shehin si kandidat të së djathtës për Bashkinë e Tiranës.
Shehi konsiderohet si një figurë mjaft popullore, konsensuale dhe përbashkuese të së djathtës. Ndërkaq, Sali Berisha mësohet se është kundër kandidaturës së Shehit, me argumentin se kandidati duhet të jetë një figurë e Partisë Demokratike.
Në llogaritë e Berishës janë tre kandidatë të mundshëm; Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Jamarbër Malltezi.
Ky i fundit ka shanse më të pakta për t’u zyrtarizuar si kandidat, për shkak të reaksionit që mund të krijojë brenda linjave dhe grupeve në Partinë Demokratike. Ndaj, Berisha është në dilemë, mes Jorida Tabakut dhe Grida Dumës. Ndonëse zonja Tabaku ka një profil dhe shkëlqim të ulët në publik se sa zonja Duma, Tabaku ka një eksperiencë në drejtimin e punëve në Bashkinë e Tiranës. Ndërkaq, në PD qarkullojnë edhe kandidatura të tjera si Eduard Selami, Aldo Bumçi etj., por më e favorizuara për momentin është Grida Duma, për shkak të afrimitetit me të dy bashkëkryetarët e PD.
Përpos përpjekjeve për të gjetur një kandidat të fortë, në PD ka edhe një presion të brendshëm për rikandidimin e Lulzim Bashës. Por, ky presion konsiderohet më shumë si një kurth i kurdisur nga kundërshtarët e Bashës, pasi një humbje në 21 Qershor, do ta zhbënte autoritetin e Bashës si kryetar i PD. Ndaj, ka gjasa që Berisha të mos rrezikojë, duke përfshirë Bashën në një garë, ku shanset për fitore janë minimale.
Duka kandidat i së djathtës në Durrës
E djathta shqiptare ka zbuluar kandidatin e parë për një ndër bashkitë më të mëdha në zgjedhjet e 21 Qershorit. Agron Duka pritet të zyrtarizohet si kandidat i opozitës për Bashkinë e Durrësit. Kandidimi i Dukës është artikuluar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
“PR mendon se z. Duka është një nga kandidaturat më të plotë përsa i përket Bashkisë së Durrësit dhe do të jetë në gjykimin tonë kandidati për kryetar bashkie i qytetarëve të Durrësit në radhë të parë, i të djathtës dhe të gjithë atyre që duan një Durrës të zhvillohet në një mënyrë krejt ndryshe me një koncept europian jashtë interesave klanore. Z. Duka ka një mbështetje të madhe të votuesve të këtij qarku, ka treguar që është mjaft korrekt si me votuesit edhe me angazhimet e tij politike”, tha Mediu.





