27 janar 2015 – Adnan Januzaj ishte një dëshirë e Paris Saint Germainit në merkaton e këtij muaji por transferimi i talentit me origjinë shqiptare te kampionët e Francës nuk u bë i mundur pasi klubi i Manchester United ka shumë besim te aftësitë e 19-vjecarit dhe kurrësesi nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e tij. Një prapaskenë të tillë merkatoje e bëri të ditur menaxheri i Januzaj, i cili në një intervistë për mediat theksoi se për futbollistin e kombëtares belge drejtuesit e Djajëve të Kuq me urdhër të trajnerit të tyre, holandezit Louis Van Gaal refuzuan një ofertë me të vërtetë joshëse të ardhur nga Paris Saint Germain-i. Edhe pse nuk ka qenë rregullisht pjesë e formacionit titullar të United teksa ka zhvilluar vetëm 13 ndeshje gjatë këtij sezoni, Adnan Januzaj shihet si një lojtar kryesor nga Van Gaal në projektin që ai ka në mend për Djajtë e Kuq, dhe në këtë mënyrë 19-vjecari do të vazhdojë të qëndrojë gjatë te klubi nga "Old Trafford."
"Po ka patur një ofertë shumë interesante në drejtim të Januzaj nga Paris Saint Germaini" – u shpreh menaxheri i futbollistit të lindur në Bruksel, Dirk De Vriese në intersivtën e tij.
"Megjithatë Manchesteri e refuzoi menjëherë këtë ofertë pasi sheh te Januzaj një lojtar thelbësor për projektin e klubit"- vijoi më tej menaxheri i 19-vjecarit.
Sipas De Vriese, Van Gaal ka qenë ai që ka hezituar të largojë mesfushorin me tipare sulmuese në merkaton e dimrit, pasi holandezi e pëlqen tejmase Adnanin. Ish lojtari i Anderlechtit ka një kontratë që e lidh me djatë e kuq deri në verën e vitit 2018.





