27 janar 2015 –  Ronaldo dhe Edimar e kanë mbyllur ka pitullin e shkelmit dhe grushtit që nxori nga fusha portugezin me karton të kuq në “Arcangel” të Kordobas, por jo opinioni sportiv. Gjesti i “Topit të Artë” të shtunën është dënuar nga shtypi sportiv në mbarë botën dhe jo vetëm. “Ronaldo luajti pak, por bëri shumë përballë Kordobas: shkelm Fragës dhe shuplakë Hoze Krespos përpara se të dilte me karton të kuq. Gjatë rrugës, ai tregoi logon e kampiones së botës dhe më pas kërkoi ndjesë”, shkruante argjentinasja “Ole”. Në Angli, “Telegraph” shkruante: “Kristiano Ronaldo shkëlqeu në aktrimin e skenave të turpshme në ndeshjen me Kordoban. Ai e la fushën pas goditjes së Edimarit, por duhet të kishte dalë më herët nga fusha për shkak se goditi një tjetër mbrojtës të Kordobës”.

Në Itali, “La Gazzetta dello Sport” theksonte se si “Kristiano në mënyrë provokative tregoi stemën e Kupës së Botës në fanellën e Realit”, duke shtuar se ky karton mund t’i kushtojë atij derbin me Atletikon. Natyrisht, më i ashpër shtypi katalanas me “MundoDeportivo”:

“Kristiano i çmendur. Ai është imazhi i dobësisë. Dhe, pasi doli nga fusha, tregoi edhe një herë arrogancën e tij ndaj tifozëve të Kordobas”.

Në fakt, katalanasja tjetër “Sport” fokusohej më tepër te penaliteti që rrezikon 29-vjeçari:

“Kristiano mund t’ia hedhë vetëm me 3 ndeshje falë arbitrit. Pesë kartonë të kuq për të ndaj 0 të Mesit. Tifozët i la të zhgënjyer”.

Ndërsa në një opinion të kësaj gazete, Luis Maskaro shkruante se sjellja e Ronaldos ishte agresive dhe arrogante: “Madridi na prezantonte me imazhin e tij të ri jo më arrogant dhe individualist. Por karakteri i portugezit doli sërish në pah. Për të ishte hera e katërt që i përsëritet kjo histori, gjë që nuk i ka ndodhur kurrë Mesit”.

Ndërsa murgesha e famshme katalanase, Luçia Kalam, reagoi në mënyrë ironike përmes “Tëitter”-it: “Kristiano Ronaldo është ‘Topi i Artë’ apo ‘Grushti i Artë”?