·        Në qytetin lumor të Shijakut dhe në atë bregdetar po ndiqen penalisht në liri 6 konsumues me nga … gjysmë deri në 1 gram e gjysmë kanabis!

DURRËS, 27 janar 2015 –  Blutë e Shijakut dhe Durrësit u janë qepur konsumuesve të vegjël të kanabisit, qw përdorin nga gjysmë deri në dhjetë gram, duke vënë në pranga dy veta dhe ndjekur penalisht në liri 6 të tjerë.

Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se të hënën, më 26 janar 2015, janë arrestuar Emiljano Norja, 19 vjeç, dhe Bruno Kuçi, 23 vjeç, të dy banues në Shijak. Sqarohet se në orën 20.30, në lokalin Internet, në lagjen Popullore Shijak këtyre dy të rinjve iu gjetën e iu bllokuan 10 gram kanabis. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 24 vjeç, për përshtatje lokali për përdorim droge.

Po ashtu po ndiqen penalisht në liri dhe 5 persona të tjerë. Kështu, S. B., 19 vjeç banues në Durrës, më 26 janar 2015, rreth orës 12.00 në lagjen nr. 7 të qytetit bregdetar, u kap duke konsumuar kanabis, si dhe nga kontrolli fizik iu gjet dhe iu bllokua një cigare, brenda saj një qese transparente me 3 gram lëndë narkotike (shto faktin se me vendim të gjykatës së Durrësit, më 26 nëntor 2013, u dënua me 9 muaj burg në mungesë për vjedhje në bashkëpunim e mbetur në tentativë); O. M. 31 vjeç banues në Durrës, në orën 19.45 në lagjen nr. 14 Durrës u kap me 1 gram kanabis; E. L. 23 vjeç, banues në Durrës, në orën 19.50, në lagjen nr. 14 (Shkozet) u kap me 0.5 gram kanabis; D. Ç. 34 vjeç, banues në lagjen Kodër Shijak, në orën 20.30, u kap me 0.5 gram lëndë narkotike kanabis; O. Ç. 32 vjeç banues në lagjen Kodër Shijak, në orën 21.00 u kap me 1.5 gram kanabis.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/