Ja si u falsifikuan nga Ora News thëniet evazive të Fatmir Mediut në dy intervista që i mori dhe i publikoi on-line

Shpallja apo dëshira e PR-së ndodhi një ditë pasi Duka u takua me Nanon, që mund të ketë premtuar mbështetjen e ndonjë segmenti të majtë në Durrës. 

Nuk dihet se ç’qëndrim do të mbajnë dy nanollarët më të thekur, Bardhyl Agasi dhe Natashë Paço, që Dakoja i ka futur në listën e këshillit bashkiak për PS-në 

DURRËS –  26 janar 2015 –  Tatim pulsi apo trysni e Partisë Republikane që opozita të dalë në Durrës, në zgjedhjet e 21 qershorit me kandidaturën e Agron Dukës. Ndërkohë dikush është kujdesur që të bëhet fakt i kryer në të gjitha mediet on-line që Dukën e pëlqen dhe PD-ja. Dalja dy herë në të njëjtin televizion i Mediut për kandidaturën e Dukës ndodh një ditë pasi ish-prefekti, ish-deputeti i PS-së dhe ish-ministri i i Bujqësisë u takua në Durrës me ish-eprorin Fatos Nano (http://www.durreslajm.com/politike/nano-duka-drek%C3%AB-pune-te-rimini). Mund të spekulohet se emigranti “i artë” i Vjenës ka premtuar mbështetjen e ndonjë segmenti të majtë në Durrës kundër Dakos. Ky i fundit, dy liderët e e nanollarëve bregdetarë, Bardhyl Agasi dhe Natashë Paço, i ka futur në listën e këshillit bashkiak për PS-në. 

“PROCESVERBAL” I RREMË    

Më 26 janar 2015, televizioni Ora News shformon me shkrim atë që ka thënë me gojë para mikrofonit të këtij televizioni vetë kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu. Kështu në titullin e lajmit thuhet se “Agron Duka i PR merr bekimin e opozitës për kandidat bashkie në Durrës”. Pastaj ka një introduksion: 

“5 muaj para zgjedhjeve e djathta ka zgjidhur enigmën e njeriut që synon të drejtojë bashkinë e dytë më të rëndësishme në vend, Durrësin. Republikani Agron Duka ka marrë bekimin e të gjithë opozitës, duke u shpallur zyrtarisht nga kreu i PR, si kandidat për bashkinë e qytetit bregdetar”.

Por citimi, që i bën po Ora News, nuk konfirmon tekstin e mësipërm:

“PR mendon se zoti Duka është një nga kandidaturat më të plota për sa i përket bashkisë së Durrësit dhe do të jetë në gjykimin tonë kandidati për kryetar bashkie i qytetarëve të Durrësit në radhë të parë, i të djathtës dhe të gjithë atyre që duan një Durrës të zhvillohet në një mënyrë krejt ndryshe me një koncept europian jashtë interesave klanore. Zoti Duka ka treguar se ka një mbështetje të madhe të votuesve të këtij qarku, ka treguar që është mjaft korrekt si me votuesit edhe me angazhimet e tij politike”, tha Mediu (https://www.youtube.com/watch?v=dZYKVTSivEk).

Nga ana tjetër në tekst nuk është pasqyruar përgjigja në korridor që Mediu i ka bërë pyetjes së gazetarit nëse është konsultuar me PD-në. Ja përgjigja e zbardhur nga “Dyrrah”-u (durreslajm.com):

“Padyshim. Kur them zoti Duka, ajo që kërkoj dhe mendoj [është] që zoti Duka të jetë kandidat i qytetarëve të Durrësit, i së djathtës, në mënyrë të padiskutueshme në marrëdhënie me PD-në”. 

ZBYTHJA

Me sa duket, nisur dhe nga falsifikimi i citimit të kopjuar nga të gjitha mediet on-line pa u konsultuar me origjinalin zanor, dyshja Mediu-Duka bëjnë diversion për të tatuar pulsin e aleatit të madh ose dëshirojnë ta vënë para faktit të kryer PD-në. 

Në intervistën e dytë të Mediut, po për Ora News, në edicionin e lajmeve nuk del që PD-ja të ketë dhënë OK. Ja teksti i zbardhur nga “Dyrrah”-u (durreslajm.com):

“Jemi në fazën e diskutimeve me PD-në dhe me strukurat e PR-së për të gjetur kandidatë të përbashkët. Nuk ka asnjë emër që do të imponojë PR-ja, por nuk mund të pranojmë edhe imponime, të cilat janë të pasuksesshme nga kushdo parti që të vijë. Zoti Duka është deputet i Partisë Republikane. Ai ka një autoritet jashtëzakonisht të fuqishëm në të gjithë qarkun e Durrësit. Këtë e ka treguar me punën, marrëdhëniet e tij, por edhe me rezultatet konkrete elektorale.

Ne nuk kemi filluar diskutime konkrete të emrave dhe nuk do të diskutojmë asnjë emër në mënyrë preferenciale. Ne do të diskutojmë në mënyrë të përbashkët për të arritur të mundësojmë kandidatura që të jenë kandidatura fituese”. (https://www.youtube.com/watch?v=vBuTbm7tIt0). 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/