• Durrësi po mbytet brenda vetes, sepse nuk mund të hapet më, pasi ka këtë unazë rreth 1 km ndërtimesh informale, që e kanë bllokuar dhe është i detyruar të gjenerojë brenda vetes, të riciklojë veten, të shkelë mbi të shkuarën e vet, sepse nuk hapet dot

DURRËS, 17 janar 2015 –  Të premten, më 16 janar 2015, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZN-it, Artan Lame, i ftuar nga Universiteti “Aleksandër Moisu” Durrës (UAMD), mbajti një ligjëratë të hapur me temë “Fenomeni shqiptar i informalitetit” dhe iu përgjigj interesit të studentëve mbi impaktin social dhe ekonomik të procesit të legalizimit, për problematikën e ndërtimeve pa leje në zonat arkeologjike dhe turistike në Durrës, etj.. Lame shoqërohej nga drejtori rajonal ALUIZNI-t Durrës, Flamur Gjuzi.

Dekani i Shkencave Politike dhe Juridikut pranë këtij universiteti, Afrim Krasniqi tha se “Lame nuk vjen para studentëve thjesht si një zyrtar që merret me problematikën e legalizimeve të zonave informale, por është një nga studiuesit më të mirë të historisë së Shqipërisë dhe njohës i trashëgimisë kulturore”.

Artan Lame bëri një parashtrim të gjerë të dukurisë. “Dyrrah”u po boton të plotë ligjëratën.

RREGULLI NË SHOQËRITË QË JANË NË LËVIZJE

Megjithëse Afrimi [Krasniqi] tha se godina [e UAMD-së] është me leje,  kjo është një gjysmë e vërtetë, sepse është me leje, por e pazbardhur. Por s’ka vend për t’u mërzitur, sepse vetë godina e drejtorisë së ALUIZNI-t ka katin e tretë të ndërtuar pa leje.

E them këtë si shembull për të treguar se sa thellë dhe se sa i panevojshëm është rregulli në shoqëritë që janë në lëvizje, si shoqëria shqiptare. Unë kam vite që merrem me çështje të planifikimit, urbanistikës, etj.

Duke qenë për shumë vite anëtar i shoqërisë civile dhe duke qenë dhe ‘dashnor’ i përjetshëm i trashëgimisë kulturore e kam vrarë mendjen shumë për t’i hyrë në themel nga vjen ky ilegalitet i lartë në Shqipëri, ilegalitet jo thjesht në konceptin e ndërtimit, por në përgjithësi në mungesën e formalizimit të gjërave në Shqipëri.

E nisa me këto 20 vjet, por kuptova se ishte dhe më thellë, te regjimi komunist, por më pas doli që kishte rrënjë më të thella, në periudhën e parë të shtetit shqiptar, po në atë periudhë doli që kishte problematika të trashëguara nga periudha e perandorisë osmane, aty doli që ajo vinte si pasojë e asaj çfarë kishte gjetur në terren kjo perandori që nga periudha e Mesjetës. Kur hyra te Mesjeta, më rezultoi se Mesjeta u formatua në mënyrë të tillë në trojet shqiptare se e tillë erdhi nga antikiteti… dhe eca më përpara deri sa arrita te dy njerëzit e parë, te dy njerëzit e parë që takuan njëri-tjetrin dhe vendosin që t’i vendosin rregullat njëri-tjetrit.

Në fund të fundit formaliteti apo vendosja e rregullave lind kur njerëzit takohen me njëri-tjetrin. Aty ku takohen ka dy mënyra për të jetuar me njëri-tjetrit, ose bien dakord kjo është shpella ime, kjo është çomangia jote dhe unë s’do ta marr, ose njëri është më i fortë se tjetri dhe i imponohet tjetrit.

ASGJË NUK NDODH KREJT RASTËSISHT

Në përgjithësi shoqëritë e kanë filluar nga imponimi dhe pastaj kanë vajtur drejt barazitizmit. Me këtë desha të them se asgjë nuk ndodh krejt rastësisht, çdo gjë vjen nga diçka e mëparshme, ka një trashëgimi,derisa vijmë tek shoqëria e sotme. Pa dashur ta merrja shoqërinë shqiptare nga epoka e shpellave, ajo që do të formatonte elementet e para të vazhdimësisë që vijnë deri në epokën tonë është Mesjeta.

E gjithë shoqëria evropiane e sotme rregullat e vazhdimësisë së saj i ka në Mesjetë, disa konsiderojnë vitin 800, në periudhën e Karlit të Madh, apo në vitin 1000 dhe më pas Evropa nuk ka më përmbysje të mëdha, ka vazhdimësi dhe limim të sistemit.

Ne për fat të mirë duhet ta kishim dhe më të vjetër këtë pjesë, sepse duhet ta na fillonte që nga periudha Bizantine, e cila pati vazhdimësi nga antikiteti, e kaloi më butë periudhën e dyndjeve barbare. Por problemi është se, dhe këtu fillojë rrënjët e problemit, se shoqëria e atëhershme (po e quajmë arbre) ishte një shoqëri rurale, fshatare dhe duke qenë shoqëri rurale, fshati nuk ka nevojë për ato rregulla që ka nevojë jeta në qytet, shoqëria e organizuar. Fshati, nga pikëpamja urbane, nuk vendos dot rregulla, do të ndërtosh atje ku mundesh, jo atje ku ta caktojnë.  Nuk vendos dot rregulla në fshat, këtu është rruga e do t’i bëni shtëpitë anash saj, dhe aq më tepër në një fshat në mal.

MESJETA DHE STATUTET

Duke qenë e tillë shoqëria shqiptare nuk kishte nevojë për rregulla të forta dhe për më tepër duke qenë një shoqëri e shpërndarë nëpër kodra, nëpër male,kishte akoma më pak kontakte me njëra-tjetrën. Në Kanun ka rregulla të tilla që “shpia nga shpia duhet të jetë një e shtënë pushke larg”, pikërisht, sepse paaftësinë për të mos i vendosur rregulla njëri-tjetrin, e zgjidhnin duke i qëndruar larg njëri-tjetrit.

Problemet fillojnë në momentin kur shoqëria fillon grumbullohet, kur fillojnë lindin qytetet, kur fillojnë lindin konglomeratet. Mesjeta ka elemente të shkëlqyera nga kjo pikëpamje edhe në Shqipëri, si shembull do të sillja Statutet e Shkodrës. Ato janë të shekullit 13-14 dhe kanë rregulla shumë të qarta se si ndërtohet, si hapet dritarja, si duhet të jeta shkalla, si duhet të jetë rruga në zonë të pjerrët, sa dyer lejohen në çdo mur, e me radhë.

Është një gjë e jashtëzakonshme, por e fshehta e kësaj është se ato statute nuk janë tonat, janë të transferuara nga Venecia, nga rregullat e Italisë që ishte tashmë e organizuar dhe për fat të mirë i imponohen qyteteve tona, që përgjithësisht ishin me qytetarë të huaj, por edhe shqiptarë kishin nisur të zbrisnin nga fshati dhe hap pas hapi filluan të organizoheshin. Kjo ndodhi me qytetet mesjetare, por ky rregullim mesjetar, për fat të keq, erdhi Perandoria Osmane dhe e fshin të gjithën duke rifilluar prapë sistemi nga fillimi.

KONCEPTI OSMAN

Ne e rifillojmë në shekullin 15-16 një sistem krejt të ri vlerash duke filluar që nga e shkruara, që nga kurrizi që i kthyem perëndimit, atyre statuteve që përmendëm më lart, dhe u kthyem në një sistem tjetër me rregullat e veta. Këtij sistemi iu deshën gati 200 vjet që të rikrijonte qytetet për shkak të riruralizimit të jetës në Ballkan, sepse ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, por ballkanik për shkak të dyndjeve osmane, sepse një pjesë e njerëzve ikën, sepse qytetet u dogjën, njerëzit u fshehën nëpër male, dhe deshën 200 vjet që rikthehen në fusha dhe nëpër qytete.

U rikrijuan qytetet osmane me koncepte komplet të tjera urbane. Koncepti lindor është koncepti i konglomeratit pa rregulla të brendshme. Secili hapet deri aty ku është “bërryli” i fqinjit dhe kështu krijohen dhe shtresëzohen qytetet osmane. Të gjithë qytetet osmane që ne trashëgojmë janë të tilla. Po të marrësh Beratin e vjetër nuk ka asnjë rregull në ndërtimin e lagjeve.

NDIKIMI I PERËNDIMIT, SHEKULLI XIX  

Rregullat e para që fryjnë pak nga perëndimi fillojnë në shekullin e 19-të, atëherë kur Perandoria Osmane ka marrë fund me të gjitha ose fillon të ndikohet nga Perëndimi.

Shembulli i parë i një konglomerati urban me rregulla të brendshme dhe sistemim të brendshëm janë lagjet ortodokse të Korçës, pra pjesa e re Korçës, dhe Fieri  i vjetër, i cili lind thjesht, sepse një nga pashallarët vrionas, Aziz Pasha, shkon të bëjë shkollën në Evropë, shokohet atje nga çfarë shikon dhe merr dy-tre ekspertë dhe i sjellë në Fier, ku ishte fushë dhe kënetë, dhe koncepton të bëjë një qytet me rrugë të drejta dhe me rregull.

Një tjetër shembull i parë, por pak më i vogël është në Tiranë, në disa lagje të saj, të cilat i disiplinoi Esat Pasha. Edhe ai shkoi në Evropë, shokohet nga ajo çfarë sheh, dhe kur kthehet vendos rregulla në pazarin e Tiranës. Për herë të parë në Tiranë sjell konceptin e mbjelljes së pemëve anës rrugëve me një rezistencë të fortë të pazarit, që thoshin po na e bën pazarin katund, sepse në konceptin e tyre pemët janë punë fshatarësh, sjellë gjithashtu arkadat (që janë dyqanet) që i kishte parë në Itali.

LUFTA E PARË BOTËRORE

Këta janë shembujt e parë të zhvillimit urban në Shqipëri, por mbeten të izoluar. Ndërsa flladi i parë i vërtetë vjen me Luftën e Parë Botërore. Përtej atyre kornizave të luftës që shoqërohet me shkatërrime, dëme, në një vend si Shqipëria që ishte e shkatërruar solli vetëm mirë sepse çdo ushtri sillte infrastrukturën e vet. Një oficer nuk mund të rrinte në kasolle me kallama, donte shtëpi dhe shteti ia financonte. U bënë rrugët, u ndërtuan disa ndërtesa, u hapën vende pune, ishte një zinxhir i madh që solli lufta,  janë përpjekjet e para që bëhen për disiplinimin urban të qyteteve.

Austriakët u morën me Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Lezhën, Fierin, ndërsa italianët u morën shumë me Vlorën dhe gjitha ndërtesat më të bukura që trashëgojmë dhe sot janë ndërtuar gjatë pushtimit të parë italian 1914-1920. Francezët u morën me Korçën e Pogradecin.

MBRETI ZOG

Fundi i luftës së parë botërore sjell atë periudhën e kalimeve në shumë qeveri njëra pas tjetrës që nuk lënë gjurmë, derisa fillon stabilizimi në vitet ’30 dhe bumi i madh i planeve urbane të periudhës së Mbretit Zog. Zogut unë i njoh nga kjo pikëpamje vetëm një meritë të madhe, kishte qenë kaq vite sa duhej për të marrë imputin nga jashtë dhe kishte një meritë të madhe se nuk bënte asgjë vetë, që është e keqja e madhe e ligjbërësve e politikanëve shqiptare që duan ti bëjnë gjërat vetë. Për planet rregulluese ai mori më të mirët për këtë gjë, italianët; kur bëri xhandarmërinë mori ata që ishin më të mirët në këtë fushë, anglezët; ekspertët e financave i mori nga Austria. Planet rregulluese, që u bënë, krijuan një rrjet të qyteteve që ekzistojnë dhe sot. Aty ku u lanë në mes ne nuk qemë në gjendje t’i vazhdonim dhe degraduan. Kjo periudhë vazhdoi dhe me pushtimin italian, sepse ata e imagjinonin Shqipërinë në përgjithësi dhe aksin Tiranë-Durrës në veçanti si qendër të perandorisë së tyre Ballkanike.

 KOMUNIZMI

Dhe vijmë te periudha e komunizmit, e cila ka shumë të mira nga pikëpamja urbane, por ka dhe disa të këqija të tmerrshme, të cilat i trashëgojmë ne sot. Për shembull, një të keqe shumë të madhe, që humbi vlerën e dokumentit dhe të pronës. Që do të thotë se letra nuk kishte më vlerë në kohën e komunizmit, sepse u kthye çdo gjë në pronë e përbashkët. Humbja e vlerës së dokumentit është një nga krisjet më të mëdha që kemi pësuar.

Ndërtueshmëria gjatë periudhës socialiste ndahet në tre epoka. Në periudhën e parë deri në vitin 1960 është akoma ndikimi italian shumë i fortë dhe të gjithë arkitektët dhe planifikuesit e asaj kohe janë me frymë italiane. Periudha e dytë, një 10-vjeçar ku mbizotëron fryma sovjetike dhe pastaj vjen periudha që unë e quaj “periudha e shterpësisë” nga vitet ’70 e mbrapa, ku kishin humbur idetë e vjetra, arkitektët dhe projektuesit ishin mbyllur brenda vetes dhe nuk prodhonin dot asgjë, kishin humbur stilet e vjetra, çdo lidhje me të shkuarën dhe ishte shterpëzuar çdo gjë.

SI NË “FAR WEST” 

Në këtë krizë vjen ‘90-a, ku ne u gjendëm në një farë mënyre si në “Far West”, sepse regjimi kishte ndërtuar një digë të fortë që ishte dhuna, me anë të së cilës kishte detyruar 1 milion shqiptarë të rrinin në fshat. 65 për qind e popullsisë ishte në fshat, raporte që ne i kishim në fund të shekullit 20, ndërsa Evropa i kishte në shekullin 18. Papritur kjo digë u hoq dhe gjithë kjo masë njerëzish, që jetonin një jetë shumë të keqe në fshat, u dynd pa asnjë kontroll drejt qyteteve. Me një shtet shumë të dobët dhe pa eksperiencë, që po kalonte nga një shtet i vjetër në një shtet të ri, pra e ndërrojmë dhe një herë sistemin nga fillimi, gjendet në këtë situatë. Strukturat e vjetra bien, pengesat bien dhe kjo masë njerëzish, rreth 1 milion, dyndet rreth qyteteve duke krijuar një unazë të hekurt  dhe sot jemi në situatën që jemi.

Kemi një bllok të madh unazash që kanë rrethuar qytetet tona duke mos lejuar më që të shpërthejnë dhe zmadhohen. Durrësi, për shembull, po mbytet brenda vetes, sepse nuk mund të hapet më, pasi ka këtë unazë rreth 1 km ndërtimesh informale, që e kanë bllokuar dhe është i detyruar të gjenerojë brenda vetes, të riciklojë veten, të shkelë mbi të shkuarën e vet, sepse nuk hapet dot. Kjo ndodh me Tiranën, Elbasanin, Shkodrën,etj..

Dyndje drejt  qyteteve ka pasur e gjithë bota dhe shumica e qyteteve të mëdha evropiane janë krijuar si pasojë e dyndjeve nga fshati, por atje kanë ndodhur për arsye të tjera, sepse në qytet kishte nevojë për krah pune, etj.

VITET 2000, IDETË PËR LEGALIZIMIN

Vijmë në vitin 2002 kur hidhet ideja e parë për legalizimin gjatë një projekti të Bashkisë së Tiranës dhe vetëm në 2005 u kthye në ligj, por një ligj me elementë elektoralë. Në vitin 2006 e merr pushtetin PD-ja dhe e ribën ligjin, përsëri me elementë elektoralë brenda dhe kjo çështje tashmë është kthyer në problem politik. Çdo palë që vjen, nuk e sheh vetëm me syrin teknik, si ta zgjidhim, por dhe me syrin politik, si të bëj më shumë vota me këtë çështje.

Pa dashur të bëj politikë, PD-ja dështoi në 8 vjet për legalizimet dhe dështoi për dy arsye kryesore, e para se PD-së, por më shumë liderit të saj, nuk i interesonte legalizimi, sepse ishte një masë njerëzish, të cilët i mbante varur, duke ia premtuar dhe mos ia bërë, dhe e dyta, burimet ekonomike dhe njerëzore, që vuri në dispozicion të procesit, edhe në momente kur donte partia që të ecte procesi, ishin të atilla që nuk mjaftonin që ta bënin të mundur.

“BËJMË URBANIZIM DHE PASTAJ LEGALIZOJMË”

Me ndryshimin e qeverisjes u ndryshuan shumë gjëra, por thelbi i ligjit mbeti po ai, legalizimi dhe urbanizimi i zonave informale. Ka qenë një debat i vjetër që në vitin 2004 se kush duhej bërë më parë urbanizimi apo legalizimi apo e kundërta, unë teknikisht kam qenë me logjikën “bëjmë urbanizim dhe pastaj legalizojmë”. Ajo që ne kemi përqafuar sot, është një shkrirje e të dy elementëve, urbanizim në letër, legalizim dhe urbanizim në fakt. Kjo do të thotë, bëjmë në letër planet se si duhen urbanizuar këto zona, bëjmë legalizimin sipas këtyre planeve dhe pastaj bëjmë urbanizimin në terren. Kjo është skema, që, me shumë vështirësi, po zbatohet aktualisht në vend.

Sot jemi në një Shqipëri që ka 280 mijë objekte pa leje në listë pritje, janë legalizuar në 8 vjet të PD-së 21.700, këto 9 muaj janë legalizuar 21 mijë dhe  me këto ritme i bie të mbarojë pas 30 vitesh, ndërkohë që rihapja e procesit të vetëdeklarimeve ka sjellë dhe 82 mijë objekte të tjera.

Por duhet të pranojmë që ka një parim të madh në këtë aspekt. Në momentin që një njeri, dy apo tre bëjnë një kundërvajtje, faji është i tyre. Kur e bëjnë të gjithë, faji nuk është më i tyre, por i ligjit, i qeverisjes.

Shënim: nëntitujt janë të “Dyrrah”-ut

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/