26 dhjetor 2014 –  Kategoria Superiore është liga që shënon më pak në Europë brenda një ndeshjeje. Sipas një rankimi që ka bërë së fundmi UEFA, kampionati shqiptar zë vendin e parë me më pak gola të shënuar. Ky është një rekord i veçantë në futbollin e kontinentit të vjetër, teksa statistikat ngelin në klasë Superioren. Kampionati ynë konsiderohet si liga më joefikase, pasi shënohen mesatarisht 1.88 gola për një ndeshje. Në çdo kampionat tjetër shënohen sipas statistikave më shumë se dy gola, duke filluar nga Gjeorgjia (2.23), Danimarka (2.28), Serbia (2.34) dhe Bosnja (2.38). Vlen për t’u theksuar se gjatë pjesës së parë të këtij sezoni në Superiore, thuajse 40% e ndeshjeve (janë luajtur 90 takime) kanë përfunduar me rezultatin 1-0. Kjo tregon një krizë të vërtetë të skuadrave, pikërisht në fazën ofensive.

Nga 18 takime të luajtura deri më tani, sulmuesi që ka shënuar më shumë është Pero Pejiç i Kukësit, me 10 gola, i ndjekur nga Elis Bakaj i Tiranës me 8 gola. Në kampionatet e tjera, më konkretisht në Gjeorgji, liga e së cilës është para Shqipërisë sa u përket shënimit të golave brenda një ndeshjeje, gjithashtu lojtari që ka shënuar më shumë është në kuotën e 10 golave, por pas 15 javësh kampionat, jo 18.

PESË KAMPIONATET ME EFIKASITETIN MË TË ULËT

1. Shqipëria – 1.88 (gola për një ndeshje)

2. Gjeorgjia – 2.23

3. Danimarka – 2.28

4. Serbia – 2.34

5. Bosnjë-Hercegovina – 2.38