26 dhjetor 2014 –  Në Serbi vijojnë akuzat e ndërsjellta në lidhje me incidentete e dhunës që ndodhën në stadiumin Partizani të Beogradit në 14 tetor në ndeshjen gjatë Serbisë dhe Shqipërisë. Shefi i sigurisë së Federatës Serbe ngriti gishtin në drejtim të policisë serbe, ndërkohë që shefi i grupit parlamentar të PSP, Partisë Progresive Serbe, Zoran Babic deklaroi se fajtorë për incidentet ishte vetë Federata Serbe e Futbollit, e cila kishte angazhuar steward të papërshtatshëm për të garantuar sigurinë në fushë.

Në fakt termi që ka përdorur Babic është steward në moshë për të dalë në pension, por çështja e stewardëve në Serbi në fakt është shtruar prej kohësh dhe ka të bëjë me personat që angazhohen për të kryer këtë detyrë. Dy klubet kryesore në Serbi, Partizani i Beogradit dhe Cverna Zvezda e konsiderojnë këtë detyrë si një mundësi për të shpërblyer tifozët e tyre më të zjarrtë që rëndom janë edhe ultras të skuadrave.

Në këtë mënyrë stewardët në stadium shpesh në Serbi janë akuzuar se në vend që të garantojnë sigurinë në raste incidentesh angazhohen edhe vetë si palë në konflikt, siç ndodhi në fakt edhe në ndeshjen me Shqipërinë, ku nëpërmjet pamjeve filmike u shfaqën qartë steward që goditën futbollistët shqiptarë si dhe të tjerë që nxisnin tifozët kundër futbollistëve shqiptarë në momente vërtet delikate ku situata mund të precipitonte nga çasti në çast.