26 dhjetor 2014 – Teuta e ka mbyllur me humbje vitin 2014, po në Durrës ka shumë besim te skuadra dhe tifozët për pjesën e mbetur të sezonit fubollistik. Skuadra beson se gjatë pjesës së mbetur të këtij sezoni performanca e saj do të përmirësohet ndjeshëm duke synuar ngritjen në tabelën e klasifikimit. Drejtuesit e klubit "Teuta" kanë marë përsipër të bëjnë blerje dinjitoze gjatë merkatos dimërore, ku do të shikohet mundësia e përforcimit të të trija reparteve: sulm, mbrojtje dhe mesfushë. Blerja e tre lojtarëve për këto reparte synohet të jetë pjesë kryesore e aktivitetit të drejtuesve gjatë kësaj merkatoje. Ndaj në ditët e ardhshme pritet të bëhen edhe lëvizje të rëndësishme në këtë drejtim. Ende nuk ka emra konkretë, po flitet se ata do të jenë lojtarë me peshë në kampionatin shqiptar.
Nga dita e mërkurë ekipi i "Teutës" do të nisë pushimet e fundvitit, periudhë kjo që do të shërbejnë jo vetëm për të festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, por edhe për të mbledhur energji dhe përballuar me sukses ndeshjet e rradhës. Nga drejtuesit e ekipit mësohet se faza përgatitore do të kryhet në Antalja të Turqisë, një tjetër stimulim ky për skuadrën dhe lojtarët që do t'i bashkohen asaj gjatë merkatos së dimrit për të arritur objektivat e shumëkërkuar nga trajneri i ri Gentjan Begeja dhe veçanërisht tifozët që e ndjekin me fanatizëm ekipin e tyre në çdo ndeshje.





