• Mos bini në kurthin e të ndenjurit gjithë ditën pa ngrënë me idenë se do hani në darkë, pasi në këtë mënyrë do të dalë jashtë kontrollit sasia e ushqimit gjatë darkës festive. Është mirë të mos shkoni në tryezën e Vitit te Ri të uritur. Kjo është këshilla kryesore e dietologes Blerina Bombaj, e cila sjell sugjerimet e saj për pjatat e darkës së Vitit të Ri.

 

25 dhjetor 2014 –  Ajo jep këshilla për çdo detaj duke filluar nga pjatat mesore, sallatat, pijet dhe aq më tepër për gjelin e detit, specialiteti që nuk mungon kurrë në tryezat e shqiptarëve në darkën e Vitit të Ri.

Dhe rekomandimet e dietologes për një darkë sa më perfekt e nisin pikërisht me pijet ato që nuk duhet të mungojnë në tryezë. “Jo pije me gaz, me përjashtim të ujit të gazuar, pasi shtojnë kalori të cilat nuk ngopin. Të konsumohet ujë pas çdo vakti gjatë ditës së festave dhe ky të shoqërojë çdo pije alkoolike që do të preferoni”,- pohon dietologia e cila nuk lë pa përmendur verën e mirë për të cilën thotë se është një pije e preferuar dhe e shëndetshme. Nuk jam kundër rakisë dhe whisky-t, nëse konsumohen me masë dhe shoqërohen vazhdimisht me ujë dhe me ushqim. Kombinimi i alkoolit me mjaltë sipas saj ndihmon në metabolizmin e alkoolit.

Ndërsa sa i përket gjelit të detit dietologia ka dhënë shpjegime të mirë organizuara se si duhet ta gatuamë për 8 persona. Mbushja e gjelit me shumë llojshmëri përbërësish, si të gatuajmë lëngun e mishit dhe shumë detaje të tjera.

Konkretisht recetat.

Mesore:

Sallatë ruse me fasule, bizele, karota etj dhe majonezë shtëpie

Salcë kosi të bërë vetë me pak majdanoz, kastravec, vaj ulliri dhe hudhër

Perime të zgarës: speca të kuq, kunguj, qepë, domate dhe pak gjizë pa yndyrë

Byrek me presh dhe gjizë

Sallatat:

Jeshile, rukola, spinaq të freskët me djathë dhie, fara lule dielli

Lakër e bardhë, karrote, stafidhe, vaj, limon

Lakër e kuqe, e marinuar dhe molle jeshile

Pjata kryesore, gjel deti

Pjata kryesore Gjel deti:

Receta: gjel deti i mbushur

Ingredientët për 8 persona:

6-7kg gjel deti

Mbushja:

1 ½ kupë oriz

1 qepë të grirë

3/4 kupë selino të prerë

2 kupa kërpudha të freskëta në feta të holla

1 mollë jeshile në feta

4 hudhra të grira

½ kupë arra

6 kajsi të thara të prera në 4sh

½ kupë stafidhe

½ kupë majdanoz i freskët

½ kupë + 1 lugë të madhe brodo pule

kripe, piper

Lëngu i mishit:

6 kupa brodo pule

2 karota të mëdha në copëza

2 qepë prerë trashë

2 kërcej seleri

qafa, krahët e gjelit

1/3 kupë miell i përzier me ujë

1 lugë të madhe rozmarinë të freskët të prerë

2 lugë të vogla timio (thimari)

kripë, piper

Përgatitja e mbushjes

1.Zieni 3½ kupa ujë me kripë. Hidhni orizin, ziejeni pak dhe kullojeni. Vendoseni në një tas të madh.

2.Zieni 1 luge të madhe brodo me qepën dhe shtoni më pas kërpudhat dhe selinon. Gatuani për 2-3min.

3.Përzieni të gjithë përbërësit e tjerë dhe hidhini kripë – piperin. Gjithmonë mbusheni menjëherë përpara pjekjes.

Gjeli:

1.Shpëlani, thani gjelin.

2.Ndizni furrën në 180 gradë C. Mbushni gjelin.

3.Lyeni gjelin me pak kripë, piper.

4.Vendoseni në furrë me gjoksin poshtë. Vendosni në tepsi 1 kupë brodo.

5.Kontrollojeni derisa te bindeni që është pjekur. Lëngu:

6.Zieni të gjithë përbërësit pa miellin, timion, rozmarinen, kripën dhe piperin për rreth 1 orë në zjarr mesatar.

7.Kulloni ujin duke larguar copat e ngurta. Zieni ¼ kupë brodo në një tigan dhe hidhjani nga pak miellit. Vazhdoni të hidhni pjesën tjetër të brodos pak nga pak duke e mbajtur mbi zjarr të ulët.

8.Shtoni rozmarinën dhe gatuajeni për 20min. Spërkateni me timio (thimari), kripë dhe piper.

Ëmbëlsira, 200-300 gramë!

Ëmbëlsirat nëse konsumohen në një porcion normal (200-300gr) ofrojnë diku te 600 – 700 kalori për të cilat do duheshin rreth 2 orë vrap që të harxhohen! E vetmja gjë që mund të bëni është të kurseni disa ushqime të nesërmen!

/Shekulli/