DURRËS, 25 dhjetor 2014 –  Ndërsa ishte përgatitur të uronte për Krishtlindje krerët e komuniteteve ortodokse dhe katolike, kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako iu desh të kalonte natën nëpër spitale për të shpëtuar të birin e aksidentuar rëndë natën e 24 dhjetorit 2014.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe ajo e qarkut Durrës-Krujë njoftojnë se të mërkurën, më 24 dhjetor 2014, në orën 23:30, në lagjen nr. 17/1, ish-Kënetë, në rrugën e Re ka ndodhur një fatkeqësi e rëndë rrugore. Sipas burimeve zyrtare, 22-vjeçari Xhulio Dako, i biri i kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke drejtuar një “Benz”, dyshohet se ka dalë nga rruga. Në këtë aksident u plagosën rëndë Xhulio Dako që drejtonte “Benz”-in dhe pasagjeri B. M., 22 vjeç, banues në Durrës.

Fillimisht të dy u çuan në spitalin rajonal të Durrësit, teksa drejtuesi i veturës u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Policia thotë se të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime jozyrtare i thanë  “Dyrrah”-ut se Xhulioja ka pasur hemorragji të brendshme dhe i është hequr shpretka.

“Dyrrah”-u i shpreh solidaritetin z. Dako për fatkeqësinë dhe i uron shërim të shpejtë të birit.

Foto: lapsi.al

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/