• Ekskluzive / Bisedime zyrtare në Moskë të kërkuara nga pala shqiptare, që paraqiti certifikatat e reja, të cilat hyjnë në fuqi pas 1 janarit 2015; listën e zyrtarëve që kanë të drejtë të bëjnë certifikimin fitosanitar bashkë me specimentet e nënshkrimeve dhe gjurmët e vulave të tyre; materiale shpjeguese për sipërfaqet e mbjella të kulturave të veçanta, duke treguar rendimentin e tyre; emërtesën e zgjeruar të mallrave që Shqipëria dëshiron të eksportojë në Rusi, përfshirë produkte mishi dhe qumështi
• Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Vojo Bregu ftoi një delegacion të Rosselkhoznadzor-it për vizitë pune në Shqipëri
DURRËS, 25 dhjetor 2014 – Moska mund të “amnistojë” Tiranën për furnizimet me fruta-perime pas nënshkrimit të dokumentit dypalësh në fund të janarit 2015.
Më 22 dhjetor 2014, në Moskë, u zhvillua një takim pune i zëvendësshefit të Rosselkhoznadzor-it (Shërbimi Federal rus i Mbikëqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare) Aleksej Saurin me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë shqiptare të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Vojo Bregu, njoftoi Rosselkhoznadzor-i. Takimi u zhvillua me nismën e palës shqiptare dhe iu kushtua diskutimit të masave që kanë për qëllim rritjen e nivelit të besimit të ndërsjellë dhe parandalimin e shkeljeve ligjore në eksportet e produkteve bimore shqiptare në tregun rus.
Vojo Bregu sqaroi se eksportet e produkteve bujqësore shqiptare në Rusi janë shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, dhe për këtë arsye Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash të ngutshme, me qëllim që të mundësohet rifillimi i operacioneve të eksportit, të cilat janë ndërprerë për shkak të zbulimit të rasteve të falsifikimit masiv të certifikatave fitosanitare shqiptare.
Në veçanti, certifikatat e reja janë prodhuar me një shkallë të lartë mbrojtjeje. Vlefshmëria e certifikatave të modelit të vjetër mbaron më 31 dhjetor të këtij viti (2014).
Përveç kësaj, u përcaktua dhe iu paraqit Rosselkhoznadzor-it lista e zyrtarëve që kanë të drejtë të bëjnë certifikimin fitosanitar të produkteve bimore të destinuara për tregun rus. Rosselkhoznadzor-it gjithashtu iu dorëzuan specimentet e nënshkrimeve të këtyre inspektorëve dhe gjurmët e vulave të tyre.
Pala shqiptare i dorëzoi Rosselkhoznadzor-it materiale shpjeguese për sipërfaqet e mbjella në Shqipëri të kulturave të veçanta, duke treguar rendimentin e tyre.
Pala shqiptare propozoi përdorimin edhe të sistemit të njoftimit paraprak, që do t’i dërgohet Rosselkhoznadzor-it mbi ngarkesat në adresë të importuesve rusë të mallrave nën karantinë. Do të krijohet dhe një grup i posaçëm për të shqyrtuar rast pas rasti në mënyrë operative të gjitha çështjet e diskutueshme. Nga Shqipëria në Rusi do të eksportohen vetëm prodhime vendase.
Në të ardhmen, theksoi Vojo Bregu, Shqipëria do të donte të zgjeronte emërtesën e mallrave të eksportuara, duke përfshirë në listë produkte mishi dhe qumështi. Bregu gjithashtu ftoi një delegacion të Rosselkhoznadzor-it për vizitë pune në Shqipëri.
Nga ana e tij, Aleksej Saurin vuri në dukje rëndësinë e forcimit të kontrollit të operacioneve ndërkombëtare të eksport-importit për shkak të një rritjeje të madhe të veprimtarisë së qarqeve kriminale pas aplikimit nga Rusia të masave ekonomike ndaj sanksioneve (të BE-së). Lidhur me sigurinë e produkteve bimore shqiptare të eksportuara në Rusi duhet të luajë një rol më të madh një dokument dypalësh, që do të rregullonte të këtilla eksporte. Në përgatitjen e një projekt-dokumenti të tillë specialistët e Rosselkhoznadzor-it do të jenë gati pas studimit të materialeve, që ka dorëzuar pala shqiptare.
“Mendoj se, realisht, në fund të janarit (2015), do ta nënshkruajmë [dokumentin dypalësh] dhe furnizimet nga Shqipëria do të rifillojnë”, tha Saurin-i, i cituar nga agjencia e lajmeve RIA “Novosti”.
Sipas të dhënave të Shërbimit Federal Doganor të Federatës Ruse, gjatë vitit 2013, nga Shqipëria u importuan 471 tonë domate me vlerë 570,1 mijë dollarë, 38 tonë tranguj me vlerë 50,6 mijë dollarë, 192 tonë pjeshkë, vishnja dhe qershi me vlerë 310,4 mijë dollarë.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





