DURRËS, 24 dhjetor 2014 –  Të martën më 23 dhjetor, kryebashkiaku Dako kishte shtruar një drekë për punonjësit e mediave në Durrës me rastin e festive të fund vitit. Pak orë para evenimentit mediat njoftohen, që ministri Veliaj do kryente aktivitetin propagandistik të rradhës në Durrës. Si zakonisht për të tilla aktivitete të stërpërsëritura bamirësie, false e të përziera me hipokrizi do të ndaheshin dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara.

 Në aktivitetin Veliaj morën pjesë vetëm një TV lokal dhe një TV kombëtar, ndërsa në aktivitetin Dako të lajmëruar me kujdes ditë më pare, morën pjesë thuajse të gjithë punonjësit e mediave në Durrës, që nga gazetarët veteranë, që e kanë filluar aktivitetin në fundin e viteve ‘70-të deri te gazetarë, që kanë filluar “zanatin” në vitin 2012.

Kryebashkiaku me pak fjalë të ndjera u uroi vitin e ri gazetarëve durrsakë dhe u premtoi, që vitin tjetër do të përpiqet të bëjë më shumë, për të lehtësuar punën e gazetarëve, si edhe për të qenë sa më transparent me mediat.

Dreka kaloi në një atmosferë të këndshme, miqësore e festive. Kuptohet pjatat speciale me prodhime deti dhe verërat e zgjedhura kontribuan për ta bërë sa më të relaksuar dhe sa më të këndshme atmosferën.

Nga fundi i drekës, kryebashkiaku Dako u bëri një premtim enigmatik gazetarëve durrsakë: Ai solemnisht u premtoi se do shtronte një darkë gala për punonjësit e mediave në Durrës në fund të qershorit 2015. Le të urojmë që  z. Vangjush  ta mbajë fjalën!

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/