22 dhjetor 2014 –  Legion Kurti, 25 vjeç klandestin në Itali, si të  thuash i bëri “zbor” policisë së Civitanova-s në Provincën e Maceratës. Kurti bënte pjesë në një bandë hajdutësh shqiptarë, që kishin terrorizuar të gjithë zonë. Ai u tentua të ndalohej nga policia, ndërsa ngiste një makinë Audi A 3 të vjedhur, por në vend të ndalonte filloi të bënte garë makinash në rrugët e qytetit. Ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte policisë, u përplas me një veturë Fiat Bravo duke plagosur shoferin e saj. Më pas e hipi Audin në trasenë e hekurudhës, madje nuk ndaloi edhe kur policia hapi zjarr mbi makinën e Kurtit.

Pasi braktisi makinën, Kurti vazhdoi arratinë në këmbë. Kapërcente gardhe, ngjitej nëpër magazina, kacavirrej në muret rrethuese të shtëpive vetëm të mos binte në duart e policisë. Në fund ra nga një cati dhe u kap nga policia i plagosur. Tashmë Legion Kurit në spital akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, për plagosje, për goditje të personit zyrtar për shkak të detyrës, për vjedhje, për ngarje makine pa patentë, për dëmtim prone dhe pjesëmarrje në bandë të strukturuar kriminale. Në sajë të informacionit të marrë nga celulari i Kurtit, policia ka arritur të zbulojë edhe anëtarët e tjerë të bandës.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/