22 dhjetor 2014 –  Policia e Modenës, të premten pasdite datë 19 dhjetor 2014 ushtroi kontroll në një banesë, që dyshohej si vendstrehim për një bandë hajdutësh shqiptarë.

Në banesë u gjetën mallra të vjedhura si çakmakë të larë në flori të markave Cartier dhe  Dupont, një aparat fotografik professional Canon, tri stilolapsa e stilografë të larë në flori, njëri prej të cilëve i markës së famshme Waterman, unaza, varëse dhe kopsa të florinjta, orë dore të markave të njohura, 500 USD, dy TV plazma etj.

Më pas, policia arrestoi në qendër të Modenës hajdutin shqiptar 30 vjeçar me inicialet G.M., i cili nuk ka dokumente qëndrimi në Itali. Ai sa po dilte nga një makinë luksoze Jaguar, kur u prangos nga policia.

Makina rezultoi e vjedhur. Në bagazhin e saj u gjetën pajisje për të kryer vjedhje si leva, kaçavida, maska, dy radio dore, që i përdornin hajdutët për të komunikuar, kur vidhnin banesat. Policia italiane, ndonëse jep vetëm inicialet e hajdutit të arrestuar ka bërë publike foton e tij.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/