21 dhjetor 2014 –  Ronaldo injoron Mishel Platini. Trajtimi që portugezi i rezervoi presidentit të Uefas gjatë ceremonisë së dhënies së cmimeve pas finales së botërorit të klubeve në Marakesh ka bërë bujë duke shfaqur qartazi ndasitë mes yllit të Realit dhe Presidentit të Uefas. Gjatë përshëndetjes pas finales Cristiano Ronaldo respektoi Sepp Blattter duke e takuar zviceranin që një vit më parë u shpreh në favor të Lionel Messit për Topin e Artë duke bërë madje dhe humor me gjestet prej komandanti të Ronaldos në fushë, por dicka e tillë nuk ndodhi me Platini. Francezi ishte duke shkëmbyer dy fjalë me trajnerin Ancelotti dhe portugezi përfitoi nga ky moment duke kaluar pas trajnerit të Realit duke e evituar përshëndetjen protokollare me presidentin e Uefas, që mbetet i habitur nga kjo sjellje e Ronaldos duke mos mundur ta fshehë në fytyrë edhe zhgënjimin për gjestin e Portugezit.

Gjithsesi pas ndarjes së çmimeve, ku Sergio Ramos u votua si Topi i Artë i Turneut dhe Ronaldo morri Topin e Argjendtë Ronaldo e takoi Platini, por duke ja bërë të qartë sërish pakënaqësinë shefit të Uefas, me një takim të ftohtë ku me zor i jep majat e gishtave pa e parë fare në fytyrë francezin, dh Mishel Platini nuk mund të kapte edhe këtë herë mesazhin, ndërsa kthen kokën në drejtim të Ronaldos dhe largohet sërish i zhgënjyer nga snobimi plateal që i rezervoi ylli i Realit të Madridit. Edhe pse arsyet e kësaj sjelljeje të Ronaldos ndaj Platini nuk janë bërë publike nga vetë protagonisti nuk është e vështirë të imagjinohet se portugezit nuk i kanë pëlqyer aspak deklaratat e presidentit të Uefa-s pak javë më parë kur Platini u shpreh se Topin e Artë këtë vit duhet ta fitojë një gjerman. Padyshim një opinion ky që ka ngacmuar sedrën e forte të portugezit i cili është favorit për ta fituar edhe këtë vit trofeun në garën me dy finalistët e tjerë Manuel Neuer dhe Lionel Messi.