DURRËS, 21 dhjetor 2014 –  Edhe fundi vitit është tejet i ngarkuar për drejtorinë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK) të Durrësit, që po organizon një sërë veprimtarish jo vetëm në qytetin bregdetar, por është e angazhuar dhe në sektorët e saj në varësi në qarqe. Kështu, më 14-16 dhjetor 2014, në qytetin e Elbasanit, u organizua faza e dytë e ateliesë treditore franko-shqiptare nën drejtimin dhe koordinimin e specialisteve të DRKK-së Durrës në sektorin e Elbasanit Albanë Drenogllava, Denisë Dhima dhe Elvirë Resmeliu.

Faza e parë e kësaj atelieje u organizua fund të muajit gusht. Puna po zhvillohet në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit, në një zone qendrore, ku mbizotërojnë objektet monument kulture dhe ato të rëndësishme nga pikëpamja historike, arkitektonike e të trashëgimisë.

Kjo atelie u përqendrua në dy drejtime kryesore: promovimi dhe informimi i trashëgimisë kulturore të qytetit dhe në veçanti i zonës në studim, duke pasur në qendër të vëmendjes ndërgjegjësimin e brezit të vogël e të ri; studimi urban dhe arkitektonik nga këndvështrimi i trashëgimisë kulturore, duke i bërë analizë gjendjes aktuale të ndërtimeve dhe peizazhit urban.

Partnerë të ateliesë janë shoqatat franceze “Qytete të artit dhe te historise” dhe “Qytete me sektorë në ruajtje dhe në mbrojtje”, Ministria shqiptare e Kulturës, Ambasada Franceze, DRKK-ja Durrës (sektori i Elbasanit), kurse bashkëpunëtorë janë Bashkia e Këshilli i qarkut Elbasan, Universiteti publik “Aleksandër Xhuvani”, të përfaqësuar përkatësisht nga Marylise Ortiz; Coline Lorang, Jacky Cruchon, Isabelle Joly, Sandrine Daureil, Tom Dutheil, Kreshnik Belegu; Anilë Grykshi, Engjëll Dakli, Majlinda Peza.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/