21 dhjetor 2014 – Një tjetër sukses kombëtar në arenën ndërkombëtare për vitin 2014. Boksieri kosovar me pasaportë gjermane, Robin Krasniqi mposhti sfidantin polak Dariusz Sek në përballjen e zhvilluar në Mynih, duke u konfirmuar kampion në gjerdanët WBA Kontinental dhe WBO Inter-Kontinental të peshës gjysmë të rëndë. Pas 12 raundeve, treshja e gjyqtarëve dha një vendim unanim në favor të boksierit nga Juniku, të cilit i hapet rruga për të kërkuar një sfidë të nivelit botëror. Kundërshtari i tij i radhës do të jetë Jurgen Brahmer. Sfida e Mynihut ishte e para në këtë qytet pas 5 viteve për Krasniqin.
Gjatë gjithë përballjes, mijëra shqiptarë që kishin mbushur shkallët e “Ballhaus Forum” mbështetën 27-vjeçarin shqiptar. Menjëhërë pas ndeshjes, Krasniqi postoi një falënderim në faqen e tij në Facebook duke shprehur mirënjohjen për tifozët që e mbështetën gjatë 12 raundeve në sfidën e Mynihut. Gjatë karrierës së tij si profesionist, boksieri kosovar regjistron 46 ndeshje nda të cilat ka fituar 43 dhe humbur vetëm 3. 16 përballje ai i ka fituar me nokdaun.





