21 dhjetor 2014 – Largimi i Fernando Alonsos nga Ferrari shihet si një lëvizje e gabuar nga ana e brazilianit Felipe Massa, i cili thekson se vetëm koha do ta vërtetojë nëse drejtuesit e kokëkuqes kanë marrë vendimin e duhur për ta lënë të lirë asturianin. Në një intervistë dhënë për revistën "Autospot", ish piloti i Ferrarit shprehet se inxhinierët nuk i dhanë spanjollit makinën që ai dëshironte.
"Nuk e dimë ende nëse është një lëvizje e zgjuar nga ana e Ferrarit por ai është ndoshta një nga pilotët më të mirë në qarkullim. Unë shpresoj që kjo të jetë zgjedhja e duhur sepse dua më të mirën për Ferrarin", thekson braziliani i skuadrës Williams që është ulur në sediljen e kokëkuqes për tre sezone. Në vijim, ai u përqëndrua te aventura me skuadrën angleze, duke nënvizuar se stili i tij ndryshon shumë nga ai i kolegut Bottas.
"Fernando është shumë agresiv me gomat e pasme si askush tjetër në Formula 1. Bottas ka një stil shumë të ndryshëm nga Alonso por kjo na ndihmon të plotësojmë më mirë njëri tjetrin për të marrë maksimumin nga makina", përfundon intervistën e tij Felipe Massa. Braziliani u largua nga Ferrari në fundin e vitit 2013 për t'i lënë vendin finlandezit Kimi Raikkonen.





