- Portret për një sportist dhe njeri të madh dhe homazh për brezat e paharruar të futbollit durrsak dhe kavajas, një listim për ata që bënë histori në lojën më popullore në Shqipëri
NGA BUJAR QESJA
DURRËS, 19 dhjetor 2014– 19 dhjetori 2014, është si të gjitha ditët e tjera. Janë ditët e fundit të vitit dhe secili përpiqet, të mbyllë epilogun e tij sa më mirë. E ndërsa në rastin tonë, 19 dhjetori ka veçantinë e tij. Na lidh me një datë të dhimbshme, të një shoku e miku të mirë, të një prindi të përkushtuar, të një gjyshi të spikatur, por edhe të një njeriu që me atë të cilën dha në jetë është i destinuar jo vetëm të mos harrohet, por të kujtohet ja kështu edhe në formën e këtij profili të kushtuar enkas për të. Ky njeri brilant, me një zemër të madhe, me një fisnikëri të lindur, me një buzëqeshje që ia zbukuronte pamjen, krejt rastësisht me 19 dhjetor të vitit 2012 mbylli sytë, duke mbajtur gjithnjë të hapur kujtesën dhe vëmendjen tonë për të.
RAKIA E FUNDIT
Më 14 dhjetor 2012, së bashku me Feti Golashin, erdhën dhe më takuan në aktivitetin që ushtroj, jashtë profesionit tim. Me thënë të drejtën, një gotë raki na e ndezi bisedën, e cila na dukej si një meze e zgjedhur, e bërë apostafat për atë ditë. Sa i gëzueshëm që ishte dhe jo vetëm mua, por edhe Fetiut i bëri përshtypje kënaqësia, me të cilën ai e përcolli atë ditë bisedën me ne.
– Hë qerrata, – më tha – paske raki të mirë. Do të vij përsëri pas disa ditësh, të ulemi më me terezi. Viti i ri po ofron dhe kënaqësia në këto ditë është shumë e madhe. Do të kujtojmë edhe Xhafën, babanë tënd të paharruar që e kam pasur mik të shkëlqyer dhe nuk harroj ndihmesën që ka dhënë ai për futbollin. Por le ta lëmë këtë e t’u kthehemi kujtimeve, në një ditë të veçantë të jetës time. Më 5 mars 2013 mbush 75-vjetorin e lindjes dhe kam ndërmend të bëj një tryezë për miqtë, shokët dhe të afërmit. Jam i sigurt se do të kënaqemi. Kemi kaluar një jetë të tërë. Jo pak, nuk i kemi më në mesin tonë dhe jam i bindur se me 5 mars do t’i përmendim. Hajde, Bujar, miku im i mirë, po largohemi dhe takohemi pas pak ditësh.” Kështu tha ky njeri për t’u pirë në kupë, i ëmbël si mjalti dhe më erdhi mirë që iku aq shumë i gëzuar, duke pasur në mendje shumë plane miqësore, apo të paktën një takim si ky deri në fund të vitit. E kujtoj si tani. E ku ta dija, se ajo ditë do të shënonte ndarjen e fundit me një futbollist nga më të njohurit në vitet 60-të dhe nuk do të shiheshim më, duke vazhduar të më lërë edhe më tutje një brengë, që s’ më le të qetë.
NJË MIK MË PAK, POR NJË MALL MË SHUMË
17 dhjetor 2012. Kam parë Feti Golashin, të vijë drejt meje me një pamje të pazakontë. Diçka duhet të ketë ndodhur mendova me vete, thjesht në formë telepatie siç i formulon populli këto raste.
– Bujar po ngutem, – më tha Golashi gjithnjë i urtë dhe i matur, – Fajës i ka rënë hemorragji cerebrale dhe e kanë dërguar urgjentisht në spital. Është shumë rëndë. Jam nisur për në spital.
19 dhjetor 2012. Lajm i hidhur për ne miqtë e tij. Mustafa Saraçi mbylli sytë, pas dy ditësh agoni, me dëshirën e madhe për t’i mbledhur shokët dhe miqtë në 75-vjetorin e lindjes. U trondita, por jeta edhe këto befasi aspak të dëshirueshme, i ka pjesë të saj. Një shok më pak, një mik më pak, por një kujtim dhe mall më shumë.
LISTA E ARTË E BESËS DHE LOKOMOTIVËS
Eh Mustafa Saraçi! Isha mësuar me atë buzëqeshjen tënde, e cila është varur tashmë
në kujtesën time. Më ke folur shumë për brezin tënd të artë të futbollit. Kam foto të panumërta dhe nuk po di se cilën të preferoj më parë. Teksa fiksoj datat, vitet, ngjarjet dhe personazhet e spikatura të futbollit kavajas dhe durrsak në fund vitet 50-të dhe 60-të, më duket se po flas me Ali Felahin, Ali Karriqin, Mit Dimroçin, Hasan Germanin, Allaman Idrizin, Shefqet Topin, Fatbardh Belegun e shumë të tjerë, që të mbledhur pas “ustait”, kështu quhej në mënyrë figurative trajneri i paharruar Zihni Gjinali, bënin historinë e futbollit kavajas. Dhe ndër to, me shumë meritë zinte vend edhe Mustafa Saraçi, djali që lindi në Kavajë me 5 mars 1938.
Në tavolinën time të punës, më duket se lëvizin edhe fotot e formacioneve durrsake, ku Faja ishte personazhi kryesor. E futbolli durrsak i atyre viteve, me ngacmues të tillë të traditës si Abdulla Duma e Niko Bespalla, Teli Ciko e Petraq Ikonomi, Zyhdi Daja dhe Muharrem Kadiu, Nderim Hoxha e Met Myshku, Feti Golashi dhe Orest Grami, Omir Topçiu dhe Met Spahiu, Nazmi Maxhuni e Maksut Leshteni, Nysret Shyti e Taq Murati, Xhoxh Pasku e Thoma Thimjo, Raq Manushi e Mile Qoshja, Shyqyri Hasa e Naim Saraçi që të drejtuar nga trajnerë legjendarë si Adem Karrapici, Skënder Dedja dhe Tom Gjiri bënin historinë e vyer të topkëmbës durrsake.
PSE “SARAÇI”
Takohem me të vëllain e Fajës, Naim Saraçin edhe ky një futbollist i talentuar. Është shtatë vite më i vogël se Faja dhe tani jeton dhe banon në Tiranë. Madje në një kohë luajtën me Lokomotivën të dy vëllezërit Saraçi. E pyeta Naimin mbi kuptimin e fjalës Saraçi. Dhe ai më tha ato që kishte dëgjuar nga babai i tij Kadriu dhe nënë Hatixheja.
-Saraç do të thotë lëkurëpunues, mjeshtër të prodhimit të këpucëve të reja, shalëpunues të kafshëve të barrës, të prodhimit dhe riparimit të gjerdanëve të fishekëve, e nuk po di të shpjegohem më gjatë. Po pak a shumë ky lloj zanati është. Gjyshi im, Ahmeti, shpërngulet nga Elbasani në Kavajë. Ndoshta sebep u bë edhe një motër e tij që jetonte këtu. Pas vdekjes së gjyshit, këtë zanat e trashëgoi im atë Kadriu. Kjo është historia e jonë, për të kuptuar se çfarë na lidh me Kavajën. Dhe e gjitha kjo ndodhur para çlirimit.
SHKOLLIMI
Dhe Mustafa Saraçi lindi pikërisht në këtë qytet, ku futbolli është vetë jeta. Nuk mund ta kuptosh Kavajën pa futbollin e saj. Si çdo fëmije, edhe Fajës i pëlqente të vraponte pas topit të futbollit, të thurte fantazitë e para të një lojtari të dëgjuar. Dhe, vërtet, fati ishte me këtë vogëlush, i cili do të bënte një karrierë të pasur me ekipin e Besës dhe të Lokomotivës. Por xha Kadriu kërkonte t’i shkollonte pesë fëmijët e tij, Ismeten, Mustafain, Skënderin, Naimin dhe Suzanën. Në Elbasan ishte pedagogjikja e njohur për kohën dhe Mustafa Saraçi iu nënshtrua studimeve në formë kursi. Ishin fillimet e viteve 50-të dhe kërkohej që të luftohej analfabetizmi. Pas shkollimit, caktohet të punojë në shkollën e Rreth Grethit të Kavajës dhe më pas edhe në shkollën “29 nëntori” në Durrës.
PËRKRAH PANOS, MALIQATIT, JASHARIT, BYTYÇIT, BESPALLËS
Viti 1957 është i artë për futbollin e moshave në Durrës. Për herë të parë Lokomotiva del kampione me të rinjtë, me trajner Faik Dervishin dhe në formacion ishte edhe Mustafa Saraçi. Emri i Saraçit tonë, filloi të bëhej i njohur, aq sa detyrimin ushtarak në vitet
58-59 e bëri pranë ekipit cilësor të Partizanit. Edhe në foton që bëjmë të njohur, Saraçi është përkrah legjendës Panajot Pano, Sul Maliqatit, Robert Jasharit, Luigj Bytyçit dhe Niko Bespallës. Pas Partizanit, Kavaja është destinacioni i ri i Fajës, ku tashmë emri i tij ishte bërë shumë i njohur. Për këtë moment Naim Saraçi shton:
Për Fajën krahas Kavajës interesohej edhe Durrësi. Njeriu i nderuar Iljaz Reka, i dhënë shumë pas futbollit, kërkon që Faja të vijë në Durrës, po ashtu edhe unë që kisha nisur të luaja. Si shpërblim ofroi një hyrje me 2 dhoma e një kuzhinë. Kavaja ishte në rrethin e Durrësit dhe nuk mund të pengonte kërkesat që vinin nga kryeqendra e rrethit. Kështu në vitin 1961, Saraçi u bë pjesë e Lokomotivës dhe qytetar aktiv i Durrësit.
DASHURI E PAKUFISHME PËR FAMILJEN
Teksa stërvitej në fushën e vjetër, u njoh me Lilianën nga fisi i njohur dhe punëtor i Muratëve. E bija e Shefqet Muratit, lidhi kurorë me djalin nga Kavaja, Mustafa Saraçi, dhe nga kjo martesë dolën në jetë tri fëmijë si drita: Merita, Etleva dhe Fabiani. Etleva përfundoi studimet në degën e italishtes, ndërsa Fabiani inxhinierinë mekanike dhe tani drejton shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet. Faja ushqente një dashuri të pakufishme për familjen, për bashkëshorten e tij Lilianën dhe 3 fëmijët, madje deri tek nipërit dhe mbesat. I vuajti shumë shqetësimet shëndetësore të së shoqes dhe sa herë takonim më thoshte: “Kam Lialianën pa qejf, po do t’i kalojë”. Dhe kujtoj ditët që të takonim në plazhin e Durrësit, ku Faja së bashku më Lilianën bënin ritualin e përditshëm duke ecur kilometra të tëra nga shtëpia në Durrës deri në Iliria dhe ktheheshin. Ngjallnin zili kur i shikoje dhe me humor i thosha sa herë: “Nuk ke për të vdekur kurrë Mustafa Saraçi, me këtë regjim që ndjek”. Dhe gjithnjë ta kthente me atë buzëqeshjen e tij tejet të veçantë, ku lexohej sinqeriteti, dashuria për shokët dhe miqtë. Gjatë ditës jepej edhe pas fëmijeve të Fabianit, Kristelit dhe Kledit tashmë 10-dhe-12-vjeçarë. Njërin e priste sa të mbaronte mësimet në shkollën “Bedrie Bebeziqi” dhe tjetrin në shkollën “Jusuf Puka”. Dhe me këta dy yje i drejtohej shtëpisë, për të kryer detyra të tjera familjare.
I GJITHË AI BREZ JETOJNË ME NJËRIT TJETRIN
Por edhe nga shokët nuk ndahej. Është leksion më vete për brezin e futbollistëve të rinj, kultura, edukata, dashuria dhe respekti i pakufi që tregonin njerëz si Mustafa Saraçi dhe vërsnikët e tij ndaj njëri tjetrit. Kam qenë prezent në disa takime ndër ta, ku kujtimet njerëzore, malli për shokët që s’i kanë më ndër vete, por edhe ato që s’kanë rast t’i takojë më, ishin emocionuese. I gjithë ai brez jetojnë me njërit tjetrin, sikur të vazhdonin ende të luanin futboll. Përvjetorët e lindjeve, ardhja e ndonjë shoku nga emigracioni, gëzime dhe festa të ndryshme familjare mbeteshin pjesë aktive e jetës së Mustafa Saraçit. Kujtimet rridhnin si një ujëvarë, duke goditur me tërë fuqinë në zemrën dhe shpirtin e secilit nga ky brez i artë, pse jo duke u shoqëruar jo rrallë edhe me ndonjë pikë loti. Dhe Faja mbetet model në këtë pikë. Një futbollist elegant dhe shumë i preferuar nga tifozeria dhe opinioni qytetar, një koleg pune si ai, një shok e mik i pazëvendësueshëm dhe mbi të gjitha një zemër e madhe, e prekshme dhe drithëruese në momentet e gëzimit dhe hidhërimit që shfaqeshin. Mustafa Saraçi!
KAVAJA “VDISTE” PËR FAJËN
E kisha planifikuar të shkruaja për të dhe do të isha i sigurt që do të gëzohej, pasi nënjë brez të ri është detyrë të njihet me paraardhësit e tij. Dhe këtu Faja dëshironte të shkruhej e të flitej, për këtë shoqëri të pastër, për atë futboll magjik dhe tërë shpirt që luanin pas asnjë interes, për atë dashuri që tregonin ndaj rivalit që ndesheshin, por edhe ndaj shikuesve që i ndiqnin me kërshëri.
Diçka dija edhe vetë, por biseda me Naimin dhe të birin Fabianin, që është foto kopje e të atit, plotësuan më së mirë angazhimin sportiv të Mustafa Saraçit, por edhe raportet me punën e përditshme.
“Kavaja “vdiste” për Fajën. – kujton Naimi, duke shtrydhur kujtesën e tij aktive. – Kur luante Besa, në fushën e vjetër mblidhej gati i tërë qyteti. Dhe djali kavajas ua shpërblente këtë vëmendje dhe dëshirë të shikuesve me lojë të bukur dhe gola rezultativë. Ç’t’i kujtoj atij brezi të artë! Njëri më i mirë se tjetri. Kavaja rriti futbollistë legjendë, me të cilët mund të krenohen edhe tani. Kështu ishte Teliti i pazëvendësueshëm, apo Topi, Vogli dhe Maliqati në portë që janë prodhim “Made in Kavaja”, Dimroçi, Gavardari, Idrizi, Germani, Ali Karriqi dhe Ali Felahu, Zhelegu, vëllezërit Gjoci e plot të tjerë. Faja luante në Kavajë, kthehej në Durrës ku doli kampion me të rinjtë në vitin 1957 dhe më pas Kavaja e priste si djalin e saj të shtëpisë.
“GJAHU” I MAJMË I “LOKOMOTIVËS
.jpg)
Pas klubit të Partizanit, ku karriera e të riut Mustafa Saraçi arriti kulmin, Besa ishte sërish destinacioni i tij. Por për futbollistin 23-vjeçar filloi të interesohej seriozisht edhe Lokomotiva e Durrësit, e cila hodhi jo vetëm “grepat”, por edhe “parangallët” për të zenë “gjahun” e majmë Mustafa Saraçi. Dhe nga 1961-62 e deri në 1970, Lokomotiva kishte si titullar një sulmues race si Saraçi. E lidhi jeta sportive me futbollistët me “mjekër” të Lokomotivës, pjesë e një formacioni historik si Teli Ciko, Nazmi Maxhuni, Petraq Ikonomi, Muharrem Kadiu, Abdulla Duma, Nderim Hoxha, Feti Golashi dhe Maksut Leshteni. Trajnerë të ekipeve kanë qenë legjendari futbollist i Tiranës së viteve 30-të Adem Karapici, Skënder Dedja i arsimuar në akedemitë hungareze të futbollit, Tom Gjiri gjithashtu erudit i klasit të lartë, të cilët me futbollistët që drejtonin ndër to edhe Mustafa Saraçi, krijuan kapitujt e artë të futbollit me tradita të Durrësit.
NË KRAHUN E DJATHTË TË SULMIT
Faja gjithnjë në formacion, gjithnjë problematik në krahun e djathtë të sulmit, ku numri 7 i hapte punë cilitdo ekip që luante me Lokomotivën. Mustafa Saraçi e kishte lidhur jetën e tij me futbollin, ku, pasi vari këpucët në gozhdë si futbollist, mbathi ato të trajnerit. Autori i këtyre radhëve kur luante me ekipin Shpresa të Lokomotivës, drejtohej nga dyshja autoritare e futbollit Mustafa Saraçi dhe Nikolla Çeta. Më tej Saraçin e shikojmë teksa drejtonte ekipe të moshave, duke stërvitur edhe futbollistin e njohur Shyqyri Ballgjini, ekipin e të rinjve, deri në ekipin e parë të Lokomotivës së fundviteve 70-të, ku luanin të mirënjohurit Agim Bulku, Mir Hima, Alfred Filjari, Vladimir Ajazi, Agim Çela, Osman Kapidani, Niko Jani, Lut Sejdini, Agim Likmeta, Il Hajdari, Sif Ristani etj. Dhe detyrat si trajner nuk ndaheshin nga angazhimet shtetërore. Faja punoi shumë vite në
NN Porti me anije të ndryshme të ujit, nga draga e deri tek rimorkiatorët. E më pas e shikojmë të angazhohet me anije të flotës tregtare detare si “Korabi”, e deri te transoqeanike “Tirana” në pozicionin e nostromit. E kudo ishte po ai Mustafa, i urtë dhe korrekt, i qeshur dhe fisnik, e e tolerant, gojëmbël dhe hokatar.
VAZHDIMËSIA
Gërmonim në familjen e zgjeruar tashmë Saraçi, se a kishte ndonjë vazhdues të sulmuesit të krahut të djathtë, me fanellën me numër 7. Dhe Fabiani ngutet të na mbrojë pyetjen që i bëmë dhe t’i japë një përgjigje të shpejtë: për fat të mirë, po. U gëzuam pa masë. Dhe praktika është e gjallë jo në Shqipëri, por në Amerikën e largët, por shumë të dashur për ne shqiptarët. Studenti i vitit të parë në degën e inxhinieri ndërtimi në universitetin e Bruklinit, Grei Mujko, djali i Meritës, është futbollist në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë. Ai dallon për fizikun e fuqishëm dhe në ndeshjet ndërmjet kolegjeve të kryeqyteteve që përbëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është nga futbollistët më të spikatur. Dardha bie mbi dardhë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Nip me dy gjyshër futbollistë. Met Mujko, futbollist i spikatur në shoqërinë e famshme sportive BEF, që vepronte në
Durrës para çlirimit dhe Mustafa Saraçit, njërit nga futbollistët më të spikatur të Lokomotivës së viteve 60-të. Grei luan me ekipin Bruklin Saker. Tradita kalon nga brezi në brez dhe Fajën kjo gjë e ngazëllonte.
Epilogu
E në mbyllje të këtij materiali kushtuar Mustafa Saraçit, si një detyrim që në të gjallë të tij, nuk mund t’i përmbajmë mesazhet që sjell 19 dhjetori 2014. Plot dy vite që jemi ndarë nga Saraçi, por ajo buzëqeshje e tij, e varur në buzë si një lule maji aromëndjellëse, nuk ka për t’u shqitur kurrë. Jo vetëm si një detyrim si i biri i Xhafer Qeses, mikut të respektuar të kohës së futbollit të Fajës, por edhe si detyrë për të qëmtuar ëmbël dhe mirë në profilin e tij aktiv njerëzor dhe sportiv. I kisha planifikuar muaj më parë këto radhë, për mjeshtrin e spikatur të futbollit, për njeriun zemërmadh dhe familjarin e zgjedhur, shokun dhe mikun e ndjerë dhe prekës të shoqërisë së re dhe të vjetër, për atë që diti me shumë art dhe kulturë të pozicionohet në mënyrën më të mirë të mundshme në jetë, me emrin prekës dhe detyrues Mustafa Saraçi. Por gjeta rastin ta formulojë këtë profil, me atë që unë gjykova të zgjedh çka është më e mira, pikërisht në ditën përkujtimore të largimit të tij nga jeta.
Ne u ndamë përkohësisht me 14 dhjetor 2012 me Fajën e mirë dhe të buzëqeshur, për t’u takuar shpejt. Dhe mua më duket sikur ai do të vijë një ditë, pa ditur se çka ndodhur me të. Dhe unë po e pres! Mustafa Saraçi sigurisht do të vij së bashku me shokët, për të vazhduar bisedat e lënë në mes, për të kujtuar vitet e arta të sportit dhe të jetës. Dhe ai do të vijë, ja kështu si tani, nëpërmjet kujtimeve më të mira që thurim për të. 19 dhjetor 2014. Dy vjetori i vdekjes së Mustafa Saraçit, por njëkohësisht edhe kremtimi i përvjetorit të pavdekësisë së tij. Dhe unë po të pres Mustafa Saraçi, me vështrimin nga kujtimet. Po të pres…!
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





