·U diskutua për projektin e gazsjellësit TAP si dhe përfshirjen e kompanive shqiptare në zbatimin e tij
·16 miliardë metër kub gaz do të mund të kalojnë drejt Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe nëpërmjet Durrësit drejt Italisë
TIRANË, 19 dhjetor 2014 – Sikurse ka njoftuar ekskluzivisht “Dyrrah”-u, më 18 dhjetor 2014, ka mbërritur në Shqipëri një delegacion i qeverisë së Baku-së. Ministri azerbajxhanas i Industrisë dhe Energjisë Natig Alijev do të largohet nga Tirana më 20 dhjetor 2014.
KRYEMINISTRI EDI RAMA: DINAMIKË E RE
19 dhjetor 2014 Kryeministri Edi Rama priti në takim, një delegacion nga Azerbajxhani, të kryesuar nga ministri i Industrisë dhe Energjisë, Natig Alijev. Në përbërje të këtij delegacioni ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Khalaf Khalafov dhe presidenti i kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit SOCAR, Rovnag Abdullajev.
Kryeministri Rama u shpreh për një dinamike të re në marrëdhëniet me Azerbajxhanin dhe shprehu interesin e palës shqiptare për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ekonomik dypalësh, njoftoi zyra e shtypit. Nga ana e tij, Ministri Alijev shprehu vlerësime të larta për Qeverinë shqiptare si një partner serioz, e cila i është përgjigjur në kohë, detyrimeve që rrjedhin nga projekti TAP. Në takim u fol për avancimin e projektit për gazifikimin e Shqipërisë, për të cilin Ministri Alijev tha se Qeveria e tij është e angazhuar për realizimin e këtij projekti. Dy vendet po punojnë gjithashtu, për të identifikuar potenciale të reja bashkëpunimi edhe në fusha të tjera si turizmi, infrastruktura etj. Ministri Alijev u zotua se do të inkurajojë praninë e kompanive azere në Shqipëri.
NËSHKRIMI I MARRËVESHJES
Pas takimit në Kryeministri, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri priti në takim delegacionin azer të kryesuar nga Ministri i Energjisë Natig Alijev.
Pas takimit dy palësh të delegacioneve, në mjediset e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit në lidhje me bashkëpunimin për zhvillimin e Masterplanit të Gazit të Shqipërisë.
Sipas këtij memorandumi, kompania SOCAR, në koordinim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësin e Trans-Adriatikut AG, së bashku me aktorët e interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë studimin e fizibilitetit të Masterplanit të Gazit.
Studimi i fizibilitetit, midis objektivave të tjera, duhet të shqyrtojë opsionet e mundshme të Masterplanit, të identifikojë parakushtet teknike dhe tregtare për zhvillimin e masterplanit kombëtar të gazit, duke përfshirë një udhëzues të detajuar për infrastrukturën në pjesën e poshtme, transportin e gazit natyror dhe rrjetet e shpërndarjes, si dhe infrastrukturën shoqëruese, duke përfshirë por pa u kufizuar tek rezervat e gazit, terminalet e gazit të lëngshëm natyror dhe impiantet e prodhimit të energjisë në Shqipëri.
Pas nënshkrimit të memorandumit, dy ministrat dolën në një deklaratë për median për të dhënë mesazhet e rastit:
Deklarata e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri:
Kam kënaqësinë t’i drejtohem medies, pas një momenti të rëndësishëm, që është nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi me SOCAR-in dhe me Ministrinë e Energjisë së Azerbajxhanit, pra me qeverinë e Azerbajxhanit. Dokumenti ka të bëjë me fillimin e procesit të studimit për gazifikimin e Shqipërisë, që do të thotë që edhe Shqipëria do të jetë një përfituese reale në të ardhmen e gazit.
Nga ana tjetër, do të thotë një diversifikim i burimeve energjetike të Shqipërisë dhe një siguri më e madhe nga pikëpamja energjetike. Me përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit kemi pasur një bashkëpunim intensiv gjatë këtij një viti e gjysmë në qeverisje. Një bashkëpunim jo vetëm për avancimin e projektit Trans Adriatic Pipeline (TAP), i cili është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për gazifikimin e Shqipërisë, por edhe zhvillimin e marrëdhënieve në sfera të tjera të ekonomisë së dy vendeve.
Shumë shpejt do të organizohet edhe komiteti i parë i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ku do të diskutohen edhe fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona. Qeveria shqiptare, me të gjitha vendimmarrjes do të vazhdojë të japë mbështetje për projektin TAP. Qeveria jonë, në mënyrë intensive ka kërkuar nga të gjithë aksionarët e konsorciumit TAP mbështetje për kompanitë shqiptare, që kompanitë shqiptare të kenë një rol sa më aktiv, në mënyrë që një pjesë e këtij investimi vërtet të ndihet dhe të shpërndahet në Shqipëri, në ekonominë shqiptare.
Azerbajxhani është një vend mik, është një partner ekonomik i yni shumë i mire. Realisht, çdo zhvillim në këtë fushë do t’i forcojë shumë marrëdhëniet midis dy popujve tanë, mes ekonomive tona. Kemi gjetur një partner serioz me të cilin kemi shumë dëshirë të bashkëpunojmë, sot dhe në të ardhmen.
Deklarata e Ministrit të Energjisë së Azerbajxhanit, Z.Natig Aliyev:
Jam shumë i kënaqur që jam këtu në Shqipëri, në qytetin tuaj të bukur, Tiranë. Kjo vizitë tregon se miqësia mes dy vendeve, Azerbajxhanit dhe Shqipërisë po zhvillohet, dhe aktualisht është në nivele shumë të larta ekonomike, politike dhe sociale. Takimet tona në Azerbajxhan në Baku, dhe tanimë në Shqipëri, tregojnë se kjo miqësi dhe këto lidhje po forcohen çdo vit, çdo muaj e çdo ditë.
Jemi shumë të kënaqur për bashkëpunimin edhe me vendet e tjera ku po zbatojmë projekte shumë të mëdha si Korridori Jugor i Gazit me infrastrukturën plotësuese të njohur si “upstream” dhe “downstream”. Kostoja e këtij projekti të Korridorit Jugor të Gazit është mbi 45 miliardë dollarë amerikanë. Një element i këtij Korridori Jugor të Gazit është Projekti Trans-Adriatik (TAP). Si rezultat, 16 miliardë metër kub gaz nga Azerbajxhani do të mund të kalojë drejt Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe më tej Italisë.
Besojmë se ky projekt do të rrisë sigurinë energjetike për gjithë Evropën Juglindore. Nuk është vetëm qëllimi ynë që të sjellim gazin tonë drejt Evropës, por kemi dhe angazhimin tonë për të ndihmuar në gazifikimin e Shqipërisë.
Kompania shtetërore e naftës dhe gazit në Azerbajxhan ka një eksperiencë të madhe në gazifikimin e shumë vendeve, përfshirë Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë etj. Kjo kompani do të mund të ndihmojë për kryerjen e masterplanit të gazit në Shqipëri dhe studimin e fizibilitetit.
Pak minuta më parë, së bashku me zotin Ministër, nënshkruam një dokument shumë të rëndësishëm. Unë mendoj se në një muaj ne do të nisim një punë të rëndësishme për zbatimin dhe përgatitjen e masterplanit të gazit. Së bashku me BP-në (British Petroleum) dhe me kompaninë shtetërore të Azerbajxhanit SOCAR do të mund të ndihmojmë për përgatitjen e studimit të fizibilitetit për gazifikimin e Shqipërisë. Ne sapo kemi filluar por unë jam i sigurt se në dy vite do të mund të përmbyllim një punë shumë të rëndësishme me kolegët tanë në Shqipëri.
Një çështje tjetër që ministri e përmendi është se mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është krijuar një komitet ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Shpresojmë që takimi i parë i këtij komiteti do të zhvillohet në Baku në fillimin e shkurtit të vitit të ardhshëm.
Deri më tani kemi punuar shumë ngushtësisht me kolegët tanë nga Shqipëria. Disa minuta më parë ne diskutuam dhe shkëmbyem mendime rreth projektit të gazsjellësit TAP, përfshirjen e kompanive lokale shqiptare në zbatimin e këtij projekti. Kemi shumë punë për të bërë.
Jemi shumë krenarë që Azerbajxhani tanimë është pjesë e zhvillimit të industrisë rafinuese të naftës në Shqipëri. Gjatë takimit që patëm me Kryeministrin, sot diskutuam edhe për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie në Shqipëri.
Ne të gjithë biem dakord se Azerbajxhani në Shqipëri ka shumë potenciale për të bashkëpunuar në të gjitha fushat e ekonomisë.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





