• U takon ministrave të LSI-së Koka dhe Panariti të diskutojnë efektin mbi pularinë e Sallmones në pikun e rritjes së çmimit të vezëve
DURRËS, 19 dhjetor 2014 – Mister refuzimi i lejeve mjedisore për dy firma serioze në rrethin e Durrësit, ndërkohë që goditet një pulari në kulmin e rritjes së çmimit të vezëve, teksa ka dyshime e spekulime për “lobim” pro-oligomonopol.
Sipas Buletinit Mujor të nëntorit 2014, Ministria e Mjedisit ka refuzuar në muajin tetor 2014 dhënien e lejeve mjedisore për investime në fshatin Bisht Kamëz të komunës së Katund të Ri dhe në fshatin Sallmone të komunës së Xhafzotajt (shih faksimilen poshtë).
Na ana tjetër, dikasteri i z. Lefter Koka nuk jep arsyet e refuzimit të lejeve për një firmë që do të bëjë grumbullim, riciklim, përpunim mbetjesh metalore të skrapit nga demontimi i automjeteve në fund të jetës në Bisht Kamëz dhe firmës tjetër që do të bëjë rritje intensive të shpendëve në një instalim në fshatin Sallmone.
Firma e dytë është nga më të respektuarat në biznesin agroushqimor të vezëve. Pa paragjykuar arsyet e organit vendimmarrës, tingëllon paksa “ters” të bllokosh prodhimin kur çmimi i vezëve ka shkuar në stratosferë. Për më tepër që një kompani shqiptaro-italiane me peshë në tregun shqiptar ka mbyllur veprimtarinë. Nuk do të ishte keq që dy ministrat e LSI-së, i Mjedisit Lefer Koka dhe i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti të uleshin e të diskutonin për këtë problem delikat, thjesht për të zhdukur dyshimet dhe spekulimet pro-oligomonopol në prodhim vezësh të njerëzve afër tyre.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





