19 dhjetor 2014 – Kur mbetet vetëm një raund nga ulja e siparit për 2014, kategoria Superiore në një sezon rivaliteti të jashtëzakonshëm, ruan ende dilemën e etiketës kampion i dimrit. Të 4 pretendentet për trofeun, Kukësi, Skënderbeu, Partizani e Tirana me vetëm 3 pikë që i ndajnë në klasifikim i kanë mundësitë për ta mbyllur vitin si kryesues duke siguruar titullin simbolik. Të gjithë skenarët janë të hapur, megjithëse përqindja e realizimit për secilin prej tyre ndryshon në varësi të pozicionimit aktual. Natyrisht që i favorizuar për të mbyllur gjysmën e sezonit me kurorën dimërore është Kukësi, që si kryesues e ndien veten zot të fatit të tij.
Skuadrës së Artim Shaqirit i mjafton të fitojë në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe nuk ka nevojë për të parë nga rivalët, megjithëse misioni për tu realizuar nuk është aq i lehtë sa për tu thënë përballë skuadrës vlonjate që pavarësisht renditjes i ka të gjithë elementët për ti luajtur shanset e barabartë, sic tregoi dhe në ndeshjen e fundit në shtëpi duke mposhtur Partizanin. Skënderbeu dhe Partizani që ndjekin verilindorët me dy pikë diferencë kryqëzojnë gishtat për një ndalesë të verilindorëve për të arritur kreun duke triumfuar në përballjet respektive. Kampionët e Shqipërisë pas fitores ndaj Flamurtarit ndeshen në Loro Borici me skuadrën e momentit në Superiore, Vllazninë që vjen pas pesë fitoresh rradhazi dhe që do të tentojë sërish befasinë e shtyrë dhe nga euforia e tifozëve shkodranë.
Partizani me 33 pikë, po aq sa Skënderbeu do të ndeshet në transfertë me Elbasanin, një kundërshtar më i lehtë në letër. Në rast se Kukësi barazon dhe Skënderbeu e Partizani fitojnë atëherë do të ndajnë të njëjtën kuotë pikësh, 36 por në përballjet direkte si Skënderbeu ashtu dhe Partizani janë të favorizuar ndaj verilindorëve ndërsa në rast të një balotazhi mes Skenderbeut dhe Partizanit titulli kampion i dimrit shkon për korcarët. Në rast se të treja skuadrat e mbyllin vitin me pikë të barabarta atëherë titulli simbolik shkon për Partizanin që ka siguruar më shumë pikë në përballjet mes të trejave. Shanset janë më të ulëta e pothuajse vetëm teorike për Tiranën. Që bardheblutë ta mbyllin 2014 në krye duhet që jo vetëm të marrin tri pikët në shtëpi ndaj Teutës, por qe dhe Partizani e Skënderbeu të mos fitojne dhe Kukesi të mundet. Në këtë mënyrë Bardheblutë do të barazoheshin me pike me verilindoret ndaj te cileve i favorizon golavarazhi ne perballjet direkte. Sa shumë skenarë për një titull simbolik, nje tjeter deshmi e nje sezoni fantastik të aftë për t'i ruajtur enigmat për 90 minutat e fundit.





