Nga Gjergj Thanasi
19 dhjetor 2014 – Kur kandilit të komunizmit po i mbarohej vaji, vunjotasi dinak Sofokli Lazëri bëri shpikjen e rradhës: valvulën e shfryrjes për “tenxheren me presion” shqiptare. Me dhelpëri të skajshme Sofo Lazëri Iisugjeroi Ramiz Alisë, që inatin dhe urrejtjen e shqiptarëve kundra komunizmit dhe zerrovëe me xhufka, që sundonin Shqipërinë nga Byroja Politike e deri në ministiritë e ndryshme, ta devijonte me anën e një eksodi të kontrolluar. Kastroja i Kubës e kishte bërë më parë një eksperiment të tillë dhe i kishte rezultuar i suksesshëm. Mijëra e mijëra kubanezë armiq të betuar të Kastros dhe komunizmit ishin lejuar, që me anë të një vale eksodi të kontrolluar t'ia mbathnin për në Floridën përballë ishullit komunist duke e shpëtuar kështu Kastron nga plot kokëçarje. Eksodi i marsit dhe i gushtit 1991 funksionoi.
Komunistët dhe sigurimsat shqiptarë shpëtuan nga fati i homologëve të tyre hungarezë të nëntorit 1956 ndër të tjera edhe, se valvula shfyrëse e eksodeve funksionoi duke ulur presionin dhe urrejtjen antiregjim ne Shqipëri. Qeverisë demokratike Meksi komunistët e sapo rënë nga pushteti u përpoqën t’i shkatonin vështirësi në marëdhënie me perëndimin sidomos me Italinë, me qëllim për ta etiketuar si të paaftë për të qeverisur duke i organizuar një eksod në verën e vitit 1992. Policia e pa reformuar nga dyshja Kopliku_Mehja thuajse dështoi në menaxhimin e situatës. Fatmirësisht Divizioni i Shijakut nën komandën e Kol. Barotit (më vonë gjen. Major) e shmangu hapjen e Portit të Durrësit dhe ripërsëritjen e eksodit. Madje kjo gjë u arrit pa përdorimin e armëve të zjarrit, pa të vrarë dhe të plagosur rëndë.
Sot njerëzit e PD-së ( të Lulit apo të Salës apo edhe olldashianët) po përpiqen t’i bëjnë të njëjtën gjë edhe Kryeministrit Rama. Tashmë po rreken, që t’i detyrojnë socialistët të gëlltisin të njëjtën pilulë të hidhur e të rrezikshme, që socialistët u përpoqën t'ia fusnin Kryeministrit Meksi në verën e vitit 1992. Një krizë e tillë humanitare, tip eksodi normalisht është e papërballueshme nga Kabineti Rama, sepse nuk përballohet një eksod në vitin 2014 me perizomat e Brisidës, apo “të Bardhën” e “rrushit” të Brisidës apo me tangat (jo tanket) e Mrikës së Lulzimes. Forca e sigurisë portuale e trajnuar njëherë e një kohë me paratë dhe ekspertët e SHBA-së, sot nuk mund ta mbrojë portin nga një valë eksodi, sidomos, kur shefi i ri i saj është i zënë me pajisjen e njerëzve me “badge-a” apo me sistemimin e personelit (nga roja e bostanit te sekretarja) dhe jo me sigurinë portuale. Njëlloj si në vitin 1991-1992 po hapen thashatheme për anije, sot tragete, që do vinë në porte për të marrë refugjatë, sot azilantë. Po përhapen thashatheme, që numri i atyre, që do pranohen, është i kufizuar,d.m.th. yxhym o milet, kush të mbërrijë më i pari, që të shkojë në kampin e refugjatëve në Dortmund.
Thashathemet po përhapen në zonat periferike të Durrësit si Spitallë, Kënetë, Shkozet deri në Rrashbull te lagja e Peposhëve. Të tilla thashatheme po qarkullojnë edhe në Sukth, Bozaxhi, Hidrovor deri matanë kthesës së Ariut e deri në Manzë e përtej. Njëlloj si atëherë, komunikatat idiote të qeverisë (Dikasterit Tahiri sot) në vend ta qetësojnë miletin e t'u kthjellojnë kokat e nxehta po i hedhin benzinë zjarrit. Kujtoj këtu komunikatën e fund dhjetorit 1990 dhe 5 janarit 1991 të Ministrisë së Brendshme, që fliste se nuk do hapet kufiri tokësor me Greqinë, si rrjedhojë kufiri jo thjesht u hap, por u shqye fare. Pikërisht të njëjtin efekt druaj se do ketë edhe komunikata (njoftimi për shtyp) i dikasterit Tahiri, mesditën e së enjtes. Atëhere Arshin Xhezot, kalemxhinj të qeverisë flisnin për forca të errta, për duar të fshehta e për fantazma, që nxisnin e eksodet. Sot niponjtë e sh. Iljaz Reka dhe Arshin Xhezëria e shek. XXI bashkë me ndonjë kollovar Italian, pasuruar me para kanceri e bunkeri atomik flasin për agjenci autobuzash fantazmë dhe për një dorë të fshehtë, që na bëri proçkën në Portin e Vlorës. Atëhere eksdodi shqiptar bëri xhiron e mediave të botës. Sot Observatori i sig. Michele Altamura-s kishte kryetitull frazën: “Circa 500 albanesi vengono fermati a Valona volevano andare in Germania per chiedere asilo”.
PD-ja nga Berisha tek z. Osman Stafa ka heshtje totale. Normalisht i takon të heshtë se çdo destabilizim i Qeverisë Rama (qeverisë së Kakavicëve, siç shprehet avokat Ngjela) automatikisht con ujë në mullirin e PD-së. Z. Stafa e kupton se në rast eksodi dhe destabilizimi si një fermet i mirë, thjesht do të korrë fryte edhe atje, ku nuk ka mbjellë gjë. Pra ose PD-ja vjen në pushtet me qeveri dezhurn (teknike) në fund të dimrit, ose kryeministri i ri i së majtës do të jetë shumë fish më pak trazovac se Rama, që sic thotë deputeti mavi Blushi i ka hobi birucat e burgjeve, kuptohet jo për vete po për miletin.
Ndryshe nga viti 1991-1992, situata sot është edhe më e agravuar, sepse Italia në Tiranë në atë kohë përfaqësohej nga De Nicolo, Dr. Colletta, apo Di Lorenzo, që ishin diplomat super të aftë apo profesionistë të zot në “zanatin” e vet.
Sot fatkeqësisht, ambasadori gjerman Shkëlqesia e tij z. Hoffmann është shumë larg nivelit të z. Verner Daum, që menaxhoi krizën e 2 korrikut 1990 me një nivel të lartë profesionizmi, madje duke tejkaluar edhe prapapambetjen burokratike të Ministrisë së Jashtme gjermane deri në nivel Stadssecretari (sekretar shteti).
Shkëlqesia e tij i vitit 2014 e ka mendjen të bëjë “ bodigardin” diplomatik të biznesmenëve gjermanë, ndonjëri prej të cilëve edhe me precedentë penalë në SHBA për kontrabandë armësh luftarake. Shkëlqesia e tij edhe sot në mëngjes ( të enjten) e kishte mendjen të mbante leksione për hapje dosjesh sipas përvojës së hapjes së dosjeve të STASI-t, në vend që të mblidhte, përpunonte dhe të dërgonte në Berlin informacion paraprak, për ngjarje të tilla, të cilat kanë potencial t’i shkaktojnë telashe madhore qeverisë gjermane deri në nivelin e Kancelares Merkel.
Mero Baze te “Antena brenda familjes”, në sajë të infove speciale, që ka nga brenda kampit të PD-së parashikonte, që në ditët e ardhshme precedenti i Portit të Vlorës të përsëritet me ambasadat në Tiranë. Dy ditët e ardhshme do jenë deçizive për të parë, nëse precedenti Vlora do ketë edhe një Plan B për Portin e Durrësit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





