DURRËS, 18 dhjetor 2014 –  Intensifikohen përpjekjet për ndërtimin e gazsjellësit TAP nga Azerbajaxhani në drejtim të Evropës, ku dhe Durrësi do të ketë një dalje.

VIZITA

Ministri azerbajxhanas i Energjisë z. Natig Alijev (në foto: majtas) është për një vizitë zyrtare treditore në Shqipëri, më 18-20 dhjetor. Sipas Bakusë, z. Alijev do të takohet me ministrin shqiptar të Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri. Në takim do të diskutohet mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes dy vendeve, projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP), gjithashtu për potencialet në zhvillimi e tregut të gazit në Shqipëri.

PROKURIMI

Ndërkohë Gazësjellësi TAP ka nisur procedurat konkrete për ndërtimin e linjave në territorin e Shqipërisë dhe Greqisë. Zbatimi për këtë kontratë është ndarë në gjashtë lote, të cilët do të bashkohen në daljet e gazsjellësit, që do të jenë në Kavallë të Greqisë dhe në Durrës në Shqipëri. Gjatësia e kësaj linje gazi është rreth 780 kilometra, me një peshë totale prej 443 mijë tonë.

Drejtori i Prokurimeve në TAP Knut Steinar Kvindesland ofroi disa detaje nga projekti:

“TAP e ka bërë ndarjen e kësaj kontrate në gjashtë lote të veçanta për t’i dhënë mundësi maksimale kompanive që të përgatiten seriozisht. Përzgjedhja e pjesëmarrësve potencialë në këtë kontratë, sikurse është bërë edhe në të gjitha kontratat e tjera të TAP, do të jetë rigoroze. Një prej prioriteteve kryesore që kontraktuesit tanë duhet të përmbushin janë standardet më të larta në ruajtjen e shëndetit, sigurisë maksimale dhe mjedisit, si dhe angazhimit të plotë të politikës së TAP për “zero rrezik”. Trans Adriatik Pipeline do të hapë procesin parakualifikues për linjat e  jashtme në fillimin e vitit 2015”.

Info

TAP-i do të transportojë gazin natyror nga burimet gjigante të Shah Deniz nga Azerbaxhani në Europë. Gazsjellësi do të jetë i gjatë rreth 870 kilometra dhe do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (Trans Anatolian Pipeline – TNAP), pranë kufirit turko-grek, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të arrijë në jug të Italisë.

Konsorciomi TAP përbëhet nga pjesëmarrja e disa kompanive të mëdha që kanë përqindjet e aksioneve. Ndarja e aksioneve është: BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/