DURRËS, 18 dhjetor 2014 – Dega e shoqatës “Tomori” në Durrës ka promovuar në odeonin “Nikolin Xhoja” të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” dy librat e fundit të publicistit dhe shkrimtarit Bashkim Koçi “Tregoj për Prishtën” dhe “Shkëmbi i sherrit”. Në takimin e zhvilluar, më 16 dhjetor 2014, kanë marrë pjesë kolegë e bashkëqytetarë të shkrimtarit, miq e krijues nga Durrësi dhe qytetet e tjera, si dhe edhe poeti i mirënjohur kombëtar Xhevahir Spahiu, i cili, me gjithë sëmundjen e rëndë që ka kaluar, di t’i respektojë vlerat dhe miqtë.
Duke hapur veprimtarinë, kryetari i degës së shoqatës “Tomori” në Durrës Hajri se kjo është një ngjarje e veçantë, sepse bëhet fjalë për promovimin e dy librave të një njeriu të veçantë, siç është Bashkim Koçi. Në takim kanë folur shumë nga pjesëmarrësit, krijues e miq të autorit. Libri “Tregoj për Prishtën” është cilësuar edhe si pasaporta e fshatit të njohur të Skraparit, i cili është edhe vendlindja e autorit. Autori Bashkim Koçi ka falënderuar pjesëmarrësit, duke shtuar se do të mbetet gjithmonë besnik i penës, fjalës së shkruar, vëzhgimeve dhe tregimeve të njerëzve.
Bashkim Koçi është gazetar me përvojë të gjerë dhe është i njohur për shkrime të shumta dhe publicistikë. Dy librat e tij të fundit spikasin për një nivel të lart profesional dhe shënojnë një arritje të re në krijimtarinë e tij personale. Në librin “Shkëmbi i sherrit”, midis të tjerash gjendet edhe një intervistë e rrallë që autori ka bërë me shkrimtarin e madh Dritëro Agolli.
Fotot: Mirësjellje e kolegut Aleks Kalemasi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





