18 dhjetor 2014 –  Ajo që do të zyrtarizojë gjithçka mbi pronësinë e re të Parmës do të mësohet të premten, kur në sallën e medias së stadiumit “Enco Tardini” do të mbahet edhe konferenca për shtyp e presidentit të ri, Pietro Doka. “Bosi” i ri i klubit emiljan është shqiptar, ndonëse prej vitesh ka marrë nënshtetësinë italiane. Media italiane zbulon detajet mbi personin që do të kërkojë të ringrejë këtë klub të rëndësishëm, por aktualisht në krizë në lidhje me rezultatet sportive, ndonëse uebsajti “Calcioefinanza.it”, nën “penën” e gazetarit Alberto Latuada, ka hedhur dyshimet se pas figurës së Pietro (Petrit) Dokas fshihet edhe një emër si ai i Rezart Taçit, i cili u përfol gjatë në median italiane, mbi interesimin e tij për blerjen e klubit të Parmës. Në komunikatën precize me të cilën klubi emiljan zyrtarizoi largimin nga skena të ish-presidentit Tomazo Girardi nuk u ofrua asnjë detaj  mbi identitetin e pronarëve të rinj, të cilët finalizuan blerjen e shoqërisë sportive, në studion noteriale të noterit breshian, Xhovani Posio. Klubi u limitua duke komunikuar se presidenca Doka për momentin është ndryshimi i vetëm në organikën e shoqërisë, duke qenë se zëvendëspresidenti Fabio Xhordano është konfirmuar në postin e tij të zëvendëspresidentit, ashtu sikurse Pietro Leonardo në rolin e drejtorit të përgjithshëm. “Jam shumë i lumtur që tashmë mund t’u konfirmoj tifozëve të Parmës se, pas një pune intensive, bisedimet për blerjen e klubit kanë përfunduar me sukses, – nënvizonte presidenti i ri, nëpërmjet një komunikimi të klubit. – Unë dhe bashkëpunëtorët e mi duam të operojmë derisa kjo shoqëri e lavdishme të mund të ketë një të ardhme solide, – shton Doka. – Falënderoj Tomazo Girardin për impenjimin dhe dedikimin e tij në gjithë këto vite për të mirën e Parmës”, përfundon komunikimi. Por cili është Pietro Doka? Dhe mbi të gjitha kë përfaqëson? Sipas informacioneve në dispozicion të “Calcio&Finanza”, presidenti i ri i Parmës ka lidhje direkte me sipërmarrësin shqiptar, Rezart Taçi. Doka, i lindur në Tiranë në mars të vitit 1971, por me nënshtetë- si italiane, ka qenë faktikisht administratori i vetëm i “Taci Oil Italia”, shoqëri me seli në Mirandolo Terme (Pv), por tashmë jo më aktive, aq sa Doka po menaxhon edhe likuidimin e saj. Pra, fshihet realisht apo jo sipërmarrësi shqiptar prapa presidencës së re të Parmës?

Këtë do të mund ta kuptojmë vetëm të premten, në rastin e konferencës për shtyp, në të cilën do të ilustrohen të gjitha detajet e këtij operacioni. Burimet e “Calcioefinanza.it” garantojnë se Taçi kishte qenë për disa javë me radhë në tratativa me Girardin për blerjen e klubit, por më pas u bë mënjanë. Madje, disa ditë më parë, “Gazzetta di Parma” kishte hedhur hipotezën se pas kompanisë ruso-qipriote fshihej prapa pikërisht Taçi. Por, në atë rast, burime brenda klubit emiljan përgënjeshtruan këtë mundësi, të cilat sot janë përmbysur, duke parë lidhjet mes presidentit të ri me “Taci Oil Italia”.