18 dhjetor 2014 –  Me një dopietë të Alesandro Piut dhe një gol të Simone Palombit, Kombëtarja U-19 e Italisë ka mundur në shifrat 3-1 përfaqësuesen shqiptare në një miqësore të luajtur në stadiumin “Enriko Roki” të Viterbos, përpara 500 spektatorëve. Kuqezinjtë e drejtuar nga Altin Lala janë mposhtur pa shumë vështirësi nga moshatarët e tyre “axurrë”. Për të kaltrit, sfida u bë shumë e lehtë, teksa ata u zhbllokuan shpejt. Sulmuesi i Empolit, Piu, tundi rrjetën për herë të parë në minutën e 22-të, teksa devijoi saktësisht me kokë një krosim të Verdes.

Por Piu u përsërit në të 60-tën, duke shtyrë në kuadratin e Shqipërisë një grushtim të shkurtër të portierit Abibi, pasi ky i fundit kishte frenuar më parë goditjen e Bonacolit. Kuqezinjtë nuk u dorëzuan, por në minutën e 89-të shkurtuan distancën, pasi Fabian Lokaj, kontingjent i FC Thunit në Zvicër, mposhti portierin Skufet nga pika e bardhë. Por shpresat për një barazim “in extremis” nuk do zgjasin shumë, pasi Palombi, 60 sekonda më vonë, i shërbyer nga Monçini, dërgoi shifrat në 3-1 dhe mbylli emocionet e kësaj miqësoreje luksi.