DURRËS, 18 dhjetor 2014 –  Në prag të festave të fundvitit drejtoria e përgjithshme ekzekutive e ndërmarrjes publike të Autoritetit Portual të Durrësit (APD) ka marrë disa masa për rritjen e shkallës së sigurisë, njofton zyra e shtypit. Sikurse dihet, gjatë festave të fundvitit numri i udhëtarëve dhe automjeteve që shfrytëzojnë tragetet në portin më të madh të vendit dy-trefishohet, në krahasim me periudhat e tjera të vitit.

Për më shumë se tri javë Forca e Sigurisë Portuale (FSP) do të zbatojë një plan masash, që synon rritjen e kontrollit dhe menaxhimin e hyrje-daljeve në territorin e portit. Stafi drejtues i FSP-së do të zbatojë një plan masash gjatë periudhës 19 dhjetor 2014-12 janar 2015, veçanërisht në oraret e parashikuara për mbërritjen dhe nisjen e trageteve. Sipas këtij plani, përveç punonjësve të FSP-së që kryejnë shërbimin e zakonshëm, gjatë periudhës prej më shumë se tre javësh do të funksionojë një grup i gatshëm prej 6 vetash me një përgjegjës grupi, të gjithë punonjës jashtë shërbimit në kushte normale.

Plani i detajuar parashikon bashkëpunimin me shërbimet e Komisariatit të policisë së portit, të instaluara te Sheshi i Trageteve. Dogana dhe Kapitaneria e portit janë dy institucionet e tjera, me të cilat do të shkëmbehen informacione si dhe do të bashkërendohen veprimet gjatë periudhës së festave. Trajtimi i parkingjeve të automjeteve në këtë periudhë fluksi do të jetë një tjetër detyrë e FSP-së, në bashkëpunim me drejtorinë e shërbimeve operacionale në APD.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/