17 dhjetor 2014 – Është zbuluar edhe misteri i prezantuesve të edicionit të 53-të të Festivalit të Fundvitit. Këngëtari i grupit Produkt 28 Turjan Hyska do të bashkëprezantojë në skenën e Pallatit të Kongreseve krah dy bukurosheve të ekranit, Floriana Garo dhe Liberta Spahiu.
Të tre këta emra duket të jenë surprizë, pasi për këtë event, më herët ishte përfolur emri i prezantueses së Top-Channel Arbana Osmani. Turi nga Vizion Plus, Floriana nga Tv Klan dhe Liberta e emisionit Prive të Klan Kosova, do të prezantojnë në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor, 26 këngët konkurrente të ndara nga 13 për dy netët e para. Në natën e tretë do të interpretohen 18 këngët më të votuara nga juria, prej nga, do të dalë edhe kënga fituese.





