17 dhjetor 2014 –  Pasi vari këpucët në gozhdë, duke mbyllur një karrierë fantastike që i ka dhuruar emocion gjithë të apasionuarave pas futbollit, Thierry Henry zbulon dhe ëndrrën e tij për të ardhmen. Francezi dëshiron që një ditë të drejtojë si trajner Arsenalin, skuadrën që simbolizon më shumë se gjithë të tjerat karrierën e tij të suksesshme në nivel klubesh, por ish sulmuesi e di se ka shumë rrugë përpara për të bërë para se të zëvendësojë Arsen Wenger. Henry u bashkua me Arsenalin në 1999 dhe bëri 258 paraqitje në Premier League për Topcinjtë, aty ku francezi dëshiron që të kthehet një ditë si trajner.

"Të drejtoj një ditë Arsenalin do të ishte një ëndërr që kthehet në realitet, por nuk gjërat nuk bëhen kaq thjeshtë. Fillimisht duhet të provosh veten, së pari duhet të mësosh, duhet të kuptosh se cfarë do të thotë të jesh një trajner. A mund të mësosh të tjerët, a mund të tregohesh i duruar? Këto janë problemet. Njerëzit mendojnë se janë të gjithë trajnerë sipas mënyrë së tyre, por kjo nuk është aq e thjeshtë". Henry, i cili ka nënshkruar një kontratë për t'u impenjar si opinionist me Sky Sports në Londër, me sa duket i ka të qarta jo vetëm idetë për të ardhmen, por dhe planin praktik për t'i vënë ato në vijë. "Fillimisht më duhet të kualifikohem dhe mendoj se Arsenali do të më ndihmojë. Për të kaluar testet duhet të punosh nga afër nga një klub dhe unë mendoj se ai do të jetë Arsenali. Nuk e di se kur dhe si do të ndodhë kjo por të gjithë e dinë se unë dëshiroj shumë që të kthehem te Arsenali. Të shohim se cfarë do të ndodhë". Falë eksperiencës së pasur që ka mbi shpatulla si futbollist Henry është gjithashtu i vetëdijshëm se ka sekreti për të arritur gjithë këto objektiva është vetëm një. "Puna e fortë është gjithcka që di. E kam mësuar nga im atë dhe nga djemtë me të cilët luajta kur shkova në kombëtare. Zinedine Zidane, Youri Djorkaeff, Lilian Thuram, Marcel Desailly, Emmanuel Petit, Fabian Barthez, ata ishin të gjithë punëtorë dhe më mësuan se dikush mund të jetë vetëm reflektimi i edukimit dhe punës së tij. Kjo është mënyra se si unë jam edukuar".