DURRËS, 16 dhjetor 2014 –  Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës njofton se, të hënën, më 15 dhjetor 2014, ora 21.00, në pikën e kontrollit kufitar në terminalin e trageteve të portit të Durrësit u kap një vajzë me inicialet M. D., 27 vjeçe, banuese në Tiranë. Ishte shpallur në kërkim, për një motiv aq të rëndomtë në ditët tona: largim nga banesa.

Por 27-vjeçarja nuk ia mbathi nga familja për t’u fshehur diku në qytet apo në territorin e vendit dhe ndoshta për t’u rikthyer sërish. Vajza kishte menduar të kalonte Adriatikun me traget, me dokumente të rregullta për të shkuar në Itali. Veçse nuk e dinte se ishte skeduar nëpër kompjuterë si e kërkuar. Kufitarët e Durrësit ia kanë dorëzuar për veprimet procedurale drejtorisë së policisë së shtetit të kryeqytetit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/