16 dhjetor 2014 –  President i Federatës ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vieser po viziton Kosovën. Ai ka ardhur në Prishtinë për të uruar Komitetin Olimpik të Kosovës për pranimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, por edhe për t’i dorëzuar xhudistes Majminda Kelmendi çmimin prej 50 mijë dollarësh, si xhudistja më e mirë në Botë për vitin 2014. Në konferencën e organizuar për media, Vizer uroj Kosovën për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, duke treguar dhe rrugën e vështirë që kishte kaluar Kosova deri tek pranimi në Federatën e Xhudos. “Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu menjëherë pas pranimit të Kosovës në Komiutetin Olimpik Ndërkombëtarë. Dua t’i falënderoj të gjithë për angazhimin që kanë bërë për ndërkomëbtarzimin e Xhudos kosovare. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, por që me angazhimin e Ministrit Memli Krasniqi, Kryetarit të Komitetit Olimpik Besim Hasani dhe sigurisht komunitetit të Xhudos,  e kemi arritur një gjë të tillë.

Kur kam qenë në Kosovë në vitin 2009, kam parë kushtet e vështirë në të cilat xhudo kosovare ka punuar dhe ka arritur suksese. Jam angazhuar personalisht për të pranuar Xhudon ndërkombëtarisht. Konsideroj se suksesi i Majlinda Kelmendit hap dyert për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar”, ka thënë Vizer. Ndërkohë, Presidenti Vizer i dhuroi Majlinda Kelmendit cekun prej 50 mijë dollarësh,  duke e shpallur kështu xhudisten nga Peja si më të mirën në Botë në të gjitha kategoritë. Të pranishëm në konferencë ishin edhe ish Ministri i Sportit, Memli Krasniqi,  Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, trajneri i Majlindës, Driton Kuka si dhe xhudistja tjetër me perspektivë Nora Gjakova. Të gjithë këta personalitete të sportit kosovar e falënderuan Vizerin për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për ndërkomëbtarizimin e sportit kosovar.  Shpallja e Majlindës si më e mirë në Botë sigurisht do të hap rrugë edhe për ndërkombëtarizimin e sporteve të tjera. Pikërisht në ditën e dorëzimit të çmimit nga Vizer, është pranuar në Federatën ndërkombëtare edhe Karateja kosovare.