DURRËS, 15 dhjetor 2014 – Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako nuk ka ndërmend të “qahet” si ai i kryeqytetit, njëkohësisht shef i SHQUP-it, Lulzim Basha, duke lënë në fuqi çmimin 30 lekë të biletës së urbanit.
Në mbledhjen e këshillit bashkiak të Durrësit, që do të zhvillohet të martën, më 16 dhjetor 2014, në rendin e ditës është dhe projektvendimi “Për përcaktimin e tarifës së biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus”. Në relacionin që do të paraqitet për këtë akt, drejtori i shërbimeve publike në bashki, inxhinier Besnik Kërtusha, propozon, në emër të z. Vangjush Dako:
“Tarifa e transportit qytetas të ngelet po i njëjtë, 30 lekë, për udhëtim, pasi nuk vërehet ndonjë shkak për ndryshimin e tarifave, deri në momentin kur operatorët e transportit qytetas të kërkojnë ndryshim të këtyre tarifave. Operatorët që kryejnë këtë lloj shërbimi, nuk mund të vjelin tarifa që nuk janë miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Sikurse është bërë e ditur, ndaj kryebashkiakut të Tiranës, njëkohësisht kryetar i PD-së, z. Lulzim Basha, është ushtruar trysni nga operatorët privatë që të rritet tarifa nga 30 në 50 e më shumë lekë. Z. Basha ka dashur që t’i lejë “kopilin” në derë Qeverisë, por kjo e fundit e ka decentralizuar vendosjen e tarifës, duke ia transferuar “kopilin” qeverisjes vendore. Nuk dihet se si do të reagojë opozita
Info
Në përcaktimin e tarifës së transportit qytetas brenda muajit dhjetor 2014, në zbatim të ligjit nr. 37/2014 dhe të VKM nr. 761 datë 12/11/2014 për decentralizimin e kompetencës së caktimit të tarifës së transportit qytetas, është shfuqizuar VKM nr. 637 datë 21/05/2008 “Për ndryshimin e tarifës së transportit qytetas të udhëtarëve” të miratuar me VKM nr. 146 dt. 26/2/1998, të ndryshuar. Përcaktohet se tarifat e miratuara me VKM nr. 637 dt. 21/5/2008 do të vazhdojë të zbatohen deri në çastin e miratimit të tarifave nga këshilli bashkiak përkatës, në përputhje me nenet 10 e 14, të ligjit nr. 8308 datë 18/3/1998 dhe se tarifat e miratuara nga Këshilli i Ministrave do të vazhdojnë të zbatohen deri më 27 dhjetor 2014.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





