DURRËS, 15 dhjetor 2014 – Duke ndjekur traditën prej disa dhjetëvjeçarësh në drejtim të punës shkencore, spitali rajonal publik i Durrësit, pjesërisht klinikë universitare, nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe kualifikimin e infermierëve.
Bëhet e ditur se të premten, më 19 dhjetor 2014, në spitalin rajonal të Durrësit, në bashkëpunim me Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë, do të zhvillohet Konferenca e 6-të Infermieristike. Ajo do të mbahet në mjediset e Telemjekësisë. Veprimtaria shkencore është në proces akreditimi, ndaj pjesëmarrja në të do t’i shërbejë stafit për edukimin në vazhdim.
2014-a është viti i katërt që personeli i infermierëve është përfshirë në projektin e ricertifikimit. Gjatë kësaj kohe infermierët jo vetëm kanë marrë pjesë në dhjetëra trajnime, por edhe kanë organizuar disa të tjera. Mes tyre mund të përmendim trajnimet në maternitet, pediatri, kirurgji, urgjencë, patologji, neurologji, kardiologji etj. Pjesa më e madhe e infermierëve kanë tejkaluar numrin e detyruar të krediteve, që duhet të kenë deri në fund të 2014.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





