DURRËS, 15 dhjetor 2014 – Korriere droge një femër, e cila shoqëron me veturën e saj shoferin për ta hipur në traget drejt Italisë, por kapet nga kufitarët e detit.
Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se, të dielën, më 14 dhjetor 2014, ora 23.30, u bë arrestimi në flagrancë, për trafik narkotikesh, i 33-vjeçarit Ilir Gjoka dhe i 27-vjeçares Danica Ndreca, të dy me banim në Tiranë.
Blutë bregdetare sqarojnë se, po të dielën, rreth orës 18.10, u ushtrua kontroll rutinë në automjetet, në pikën e kalimit kufitar, në terminalin e udhëtarëve në portin e Durrësit.
Kështu, në një “Benz”, që drejtohej nga 33-vjeçari,teksa në sedilje, si udhëtare, qëndronte vetë 27-vjeçarja, pronare e veturës, policia e kufirit dhe migracionit gjeti dhe bllokoi 39 pako të mbështjella me celofan transparent. Pas peshimit rezultuan rreth 38 kg (saktësisht 37 kg dhe 895 gram) kanabis. Kuptohet që materialet i kaluan prokurorisë për krimet e rënda, Tiranë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





