DURRËS, 4 dhjetor 2014 – KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit) njofton se “ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish-regjistruesin B. L. të Durrësit, juristin D. Q. dhe hartografen K. GJ., që në mospërmbushje të detyrës dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës”.
Ja disa prej shkeljeve të konstatuara, që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë auditimit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, për periudhën nga janar 2012- korrik 2014.
1. Në 282 raste në fshatin Shetaj dhe Lalëz komuna Ishëm, fshatin Shkallnur, Arapaj dhe Likmetaj komuna Rashbull, janë regjistruar 436 064 metra katrorë tokë e llojit “arë” më tepër.
2. Në 9 raste në fshatin Shetaj komuna Ishëm, janë regjistruar 68 201 metra katrorë kur familjet bujqësore përfituese me AMTP, rezultojnë të kenë përfituar edhe më parë tokë bujqësore me AMTP.
3. Në 1 rast në Zonën Kadastrale (ZK) 1204, fshati Bizë, Komuna Ishëm, është regjistruar një sipërfaqeje prej 10 500 metra katrorë, në zërin kadastral “arë”, sipas AMTP nr. 79/1, datë 12.02.2002 kur kjo sipërfaqe ekziston në zërin kadastral “P F” (tokë e pafrytshme).
4. Në 17 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz komuna Ishëm, janë regjistruar 1 643 metra katrorë sipërfaqe trualli e ndërtimi, referuar listave emërore të ish-pronarëve për pronësinë e ndërtesës dhe trojeve, por pa u disponuar asnjë dokumentacion për regjistrimin e tyre.
5. Në 3 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz komuna Ishëm, janë regjistruar tokë truall subjekteve juridike duke u lejuar shmangien e detyrimeve.
6. Në 2 raste në ZK 8518, Urbane Plazh Durrës, ka rezultuar se është regjistruar një objekt “8 kate banim shërbim hoteleri” dhe “godinë banimi dhe njësi tregtare 6 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë me funksion garazh”, kur sipas aktkolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 252 metra katrorë.
7. Në 1 rast në ZK 3385, Shkallnur, Durrës, është regjistruar një objekt “godinë banimi e shërbimi 8 + ½ + 1 kat shërbime + 1 kat garazh + papafingo”, kur sipas aktkolaudimit objekti ka të ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 542 metra katrorë.
8. Në 2 raste në ZK 8512 qyteti Durrës, janë regjistruar sipërfaqe trualli 512 metra katrorë dhe ndërtimi 219 metra katrorë pa u disponuar dokumentacioni i duhur ligjor mbi mënyrën dhe llojin e përfitimit të pronësisë etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





