4 dhjetor 2014 – Mediat serbe shkruajnë se shqiptarët janë kokëfortë dhe frikacakë që nuk pranuan ofertën e Federatës Serbe të Futbollit për të riluajtur ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit në Serbi.
"Komisioni i Apelit nuk e ndryshoi vendimin e Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre pas hyrjes në fushë të huliganëve serbë. Por para mbledhjes të dy vendet kishin mundësi të arrinin një marrëveshje për përsëritjen e ndeshjes, por Federata Shqiptare e Futbollit e refuzoi këtë ide", shkruan Kurir. Gazeta serbe shprehet e habitur me këtë vendim duke i quajtur shqiptarët kokëfortë dhe frikacakë. Të njëjtën gjë thotë edhe sekretati i Federatës Serbe Zoran Lakoviç: "Ishte një propozim që kishte pëlqimin dhe aprovimin e UEFA-s por ne nuk mundëm të arrinim një marrëveshje pasi shqiptarët nuk donin të riluanin ndeshjen".
FSHF nuk e pranoi këtë propozim me shpresën se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të vendosë në favor të Shqipërisë.





