-
Duke folur për krijimtarinë letrare të poetit, prozatorit dhe kritikut Shpend Topollaj, publicisti Kostaq Xoxa ka shkruar se “Shpendi është ndër letrarët më të shquar të pasnëntëdhjetës dhe, do të thosha, jo vetëm ndër më prodhimtarët, por pa asnjë teprim, një shkrimtar që i ka nderuar letrat shqipe, jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë tij”.
DURRËS, 1 DHJETOR 2014 – Shpendi Topollaj mbetet gjithnjë i mirëpritur nga lexuesi shqiptar. Ai dallon për larmishmërinë e veprës dhe dhuntinë e tij në prozë, tregim, poezi, kritikë, romane, vëllime mitologjike. Autori di t'u japë një përshkënditje mbresëlënëse veprave të tij dhe erudicioni për të cilin shprehet me modesti shfaqet e shpaloset hirshëm në to.
Në kuadrin e krijimtarisë po rendisim disa nga librat e tij:
· Lirikat e zemrës – Poezi (përkthyer në italisht)
· Gjithë dashuritë e mia – Poezi
· Flakët e fjalës – Kritika letrare
· Tekat e perëndive – Poezi
· Allamanët – Novelë (përkthyer në italisht e gjermanisht)
· Mallkimi – Roman
· Adulteri – Tregimi
· Kur qesha dhe qan Kadare – Kritika letrare
· Luani i kafazit – Roman
· Lotët e zambakut – Roman (përkthyer në rusisht)
· Amaneti – Tregime (përkthyer në rumanisht)
· Fisniku dhe horri – Tregime dhe novela
· Akropol për të gjithë – Poezi (përkthyer në greqisht) etj.
Shkrimtari Shpend Topollaj vazhdimisht ofron risi në letrat shqipe dhe ai shfaq një ekuilibër befasues midis ndjenjës dhe arsyes. Poezia e tij vallëzon përmes fjalës, imazhit që përcjell mes kontrasteve dhe esencës së jetës. Shpendi nuk lodhet së hulumtuari në plagët e shoqërisë, në shtrembërimet dhe shëmtitë e saj. Por një njeri i mirë, me natyrë të butë përcjell veç mesazhe mirësie, dashurie dhe shprese.
Prof. dr. Gjergj Zheji duke analizuar vlerat e autorit dhe të veprës së tij është shprehur se kjo forcë shprese hetohet edhe te vetë autori, te qëndrimi i tij ndaj realitetit që ai shpalos në libër, haset te vërtetësia e fakteve, të cilat ai i shikon drejt e në sy, haset te nënvizimi e mençuria që u bën këtyre fakteve, viktimave, aspekteve të ndryshme të regjimit, haset te një ironi e hollë angleze që mund të të kalojë pa e vënë re, por që është e pranishme në faqet e librit duke vënë në dukje epërsinë morale të personazheve dhe të vetë autorit, ndaj shoqërisë që paraqet”. 
Kjo vihet re dukshëm në romanin e përkthyer në rusisht nga Mehdi Ramohito “Lotët e zambakut”, i cili gjithashtu ka përkthyer dhe romanin “Pushkatimi” në të njëjtën gjuhë. Por një vëmendje të veçantë do të përpiqem t’i kushtoj përkthyesit tjetër të librave të Shpendit në gjuhën ruse, Gjeneral Jani Lufit (me të cilin Shpendi vazhdimisht komunikon përmes letërkëmbimeve të vazhdueshme). Vetë z. Lufi, një ish-partizan shqiptar që arriti gradën e gjeneralit në Ushtrinë Ruse, shpirtërisht i lidhur pazgjidhshmërisht me Shqipërinë, vlerëson në monografi e libra me kujtime, figurat e strategëve shqiptarë si: Skënderbeu e Pirro i Epirit. Gjithashtu, ai s’harron të përkujtojë dhe Petrit Dumen, ish –shefin e përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare të pushkatuar me Beqir Ballukun, ngjarje të kohës, ku u përfshi dhe familja e Shpend Topollaj. Jani Lufi, së bashku me 2 djemtë e tij Kostandinin dhe Andrean, njëri Prokuror i Përgjithshëm i Krasnodarit (qytet në Rusi) dhe tjetri mjek bënë të mundur përkthimet e librave “Blludica”(Kurva) dhe “Adulteri”-t, madje dhe shpërndarjen e tyre në bibliotekat rusë. Ky i fundit (Adulteri) është redaktuar dhe korrektuar në rusisht nën kujdesin e profesoreshës Marina Skorik. Gjenerali Jani Lufi, i cili përveç studimeve të larta ushtarake, ka kryer edhe universitetin në degën gjuhë- letërsi, asnjëherë nuk e ka larguar vëmendjen nga zhvillimet kulturore të Shqipërisë.
Po le t’i rikthehemi autorit Topollaj, i cili me kulturën, fisnikërinë dhe vendosmërinë e tij është përpjekur të shpalosë realitetin shumëplanësh të kohëve të reja, të zgjerojë gamën e tematikave duke vluguar një krijimtari të suksesshme dhe duke i vëzhguar ngjarjet e fenomenet, me vështrimin e një kozmopoliti dhe ithtari të demokracisë amerikane. E gjithë vepra e tij na evokon thënien e pavdekshme kafkiane: “Ata që nuk e mbajnë mend të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”. Kjo mesa duket, është dhe deviza e preferuar e krijimtarisë së tij.
Shpendi është i drejtpërdrejtë me lexuesin, flet rrjedhshëm, natyrshëm. I tillë shfaqet dhe në intervista, recensione, diskutime, parathënie të ndryshme. Porta e poezisë dhe letërsisë s’hapet për këdo, por ndryshe ndodhi me Shpendin. Ai nuk i fotografon si një amator dukuritë e jetës e marrëdhëniet njerëzore, por i analizon, i himnizon, përzgjedh ato më domethënëset, përpiqet të ndezë flakë në shpirtrat e njerëzve. Në tërë lëvizshmërinë dhe rrjedhën e veprës së tij, Shpendi prek çiltërisht dhe transmeton mesazhe tek lexuesit. Personazhet protagonistë të Shpend Topollaj dallojnë për burrëri, karakter dhe qëndresë. Edhe kur janë një hap larg vdekjes, gjejnë forca të mbesin dinjitozë dhe me shpirt të papërkulur. Filozofia e tij është përcjellja e optimizmit, edhe aty ku fatet e shenjuara nga diktatura e pamëshirshme, hidhërojnë këdo. Zoti e ka bekuar me hirin e muzës poetike, ndaj ai, më së miri mundet ta shndërrojë vargun poetik në muzikë për ndjenjat.
Në mbyllje do të citoj disa vargje të poetit, kritikut dhe prozatorit Topollaj nga “Magjistari i dashurisë”:
“Të përshëndeste vetëm vala
Dhe hija e malit plot freski.
Mbarë botës ti i dhe të fala,
Me një shqiponjë në arrati”.
/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





