DURRËS, 18 nëntor 2014 –  Atje ku deri para vitit 1991 prodhoheshin pjesë dhe montoheshin radio, televizorë dhe pajisje elektronike për ekonominë, tani zhvillohen praktikat mësimore, që lidhen me kualifikimin e punëkërkuesve të papunë në profesione të ndryshme.

Të hënën, më 17 nëntor 2014, këshilli bashkiak i qytetit të Durrësit miratoi njëzëri projektvendimin mbi dhënien pa kundërshpërblim drejtorisë rajonale të formimit profesional publik Durrës të ambientit me sipërfaqe të përgjithshme 160 metra katrorë, pjesë e godinës së ish-URT-së, pronë e bashkisë, për një afat kohor deri më 23 mars 2016.

Monitorimi, menaxhimi, ristrukturimi dhe mirëmbajtja e mjedisit do të bëhet sipas akt-marrëveshjes, që do të lidhet midis bashkisë Durrës (sektori i pronave publike dhe menaxhimit të aseteve) dhe drejtorisë rajonale të formimit profesional publik.

Administrata e bashkisë është vënë në lëvizje me shkresën e 13 tetorit 2014, nisur nga drejtoria rajonale e formimit profesional publik Durrës, në të cilën i kërkon institucionit të bashkisë një ambient në katin përdhes për të zhvilluar praktikat mësimore, që lidhen me kualifikimin e punëkërkuesve të papunë në profesione të ndryshme.

Nga ana e këshilltarëve të mëparshëm janë marrë disa vendime për këtë institucion, duke u ofruar sipërfaqe të konsiderueshme, të ndodhura këto si në katin e parë (përdhes), ashtu dhe në katin e dytë, pjesë e godinës së ish-URT-së, pronë e bashkisë. 

Të gjitha vendimet e dhëna fillojnë që më 23.3.2006 e deri te vendimi i fundit, 17 qershor 2008, kanë pasur të njëjtin qëllim, siç është ai i kualifikimit të punëkërkuesve për tregun e punës, dhe të gjitha vendimet i kanë shërbyer të njëjtit institucion, drejtorisë rajonale të formimit profesional publik Durrës, thotë Anilë Myderrizi e bashkisë së Durrësit.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/